Këto pamje nuk janë marrë në autobuzin e unazës së Tiranës apo të Durrësit, ku zakonisht në oraret e pikut, njerëzit bëhen “përshesh”. Bëhet fjalë për autobusin e vënë në dispozicion nga aeroporti i Bergamos për fluturimin e orës 18.00 drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë.
Pasagjerët, 95% e tyre shqiptarë, kanë kryer të gjithë procedurën e check-in-it dhe kanë hipur në autobus për të shkuar drejt avionit të linjës “Ernest”.
Pasi kanë hipur dhe autobuzi është mbushur “dëng” qëndron aty për gati 30 minuta.
Autobuz ka vetëm një, të vënë në dispozicion. Ata që nuk kanë mundur të hyjnë qëndrojnë jashtë në pritje, që ky autobuz pasi të shkarkojë pasagjerët të rikthehet për të marrë të tjerët. Por autobusi nuk niset dhe arsyeja nuk dihet.
Njerëzit presin në këmbë me valixhet në dorë ngjeshur njëri pas tjetrit.
Kur soset durimi i të gjithëve vjen tek dera një punonjës personeli i aeroportit. Diku nga fundi i autobuzit, një gazetar i njohur në Shqipëri, drejtues emisoni, i hakërrehet me sa ka në kokë punonjësit, por ai nuk e vë fare ujin në zjarr.
Pak minuta më vonë autobuzi niset, por dyert nuk hapen. Avioni është 45 minuta me vonesë. Fluturimi ishte parashikuar në orën 18.00. Ora shënon 18 e 50 minuta kur autobusi hap dyert për të zbritur pasagjerët.
Më pas shkon të marrë pasagjerët që prisnin në të ftohtë jashtë sallës së pritjes.
Mësuam se avioni u nis me vonesë sepse nuk ishte kryer pastrimi i tij në kohë.
Kompania që ka për detyrë pastrimin e avionit para fluturimit e kishte nisur punën me vonesë.
Për këtë shkak, autoritetet vendosën që pasagjerët që niseshin drejt Tiranës, të qëndronin në pritje brenda në autobuz.
K.H.





