Tre efektivë policie të veshur civilë kanë arrestuar në flagrancë në një lokal tek Astiri në Tiranë të shumëkërkuarin Blendo (Edison) Alikajn, 32 vjeç, banues në Vlorë.

Ai ndodhej i vetëm në tavolinë në lokalin pranë unazës së re, kur policët e ‘bllokojnë’ dhe i vënë prangat, siç shihet edhe në pamjet më poshtë të shpërndara nga vetë policia.

Ai kërkohej për “Vrasje me dashje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë” pasi me 4 janar 2017 në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës, ka plagosur me automatik tre persona.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një nga banesat në Vlorë janë gjetur dhe sekuestruar 3 fishekë pistolete, 1 palë dorashka të zeza dhe 1 kapuç-maskë.

Gjithashtu në përfundim të veprimeve hetimore të kryera prej Policisë ka rezultuar si autor i dyshuar në ngjarjet e ndodhura më parë dhe konkretisht:

Më datë 03.11.2016, në lagjen ''Isa Boletini'' tek lulishtja e Kalit të Trojës, së bashku me një tjetër shtetas dyshohet të ketë qëlluar me armë zjarri automatik.

Më datë 18.05.2017, në vendin e quajtur ''Jonufër'' së bashku me tre shtetas të tjerë dyshohet se ka shtrënguar me anë të kanosjes dhe dhunës një tjetër shtetas për dhënien e një shume të caktuar lekësh.

32-vjeçari Alikaj është shtetas me precedentë penal si edhe i dënuar më parë lidhur me disa vepra të ndryshme penale të ndodhura në Vlorë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndaj shtetasit të mësipërm për veprime të mëtejshme.