Policia e Durrësit njoftoi sot se ka arrestuar 4 grabitësit e çiftit të moshuar Maliq dhe Shahe Elezi, të cilët u dhunuan në shtëpinë e tyre në Shkallnur në orët e para të mëngjesit të datës 20 nëntor.
Policia arrestoi shtetasit Niko Papajorgji 35 vjeç, Marsel Papajorgji 30 vjeç, Julian Qamili 43 vjeç, ( të tre banues në Durrës) si dhe Erind Seferkolli 30 vjeç, banues në Korçë.
Policia ka zbardhur edhe të gjithë mekanizmin e ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik.
“Niko dhe Marsel Papajorgji (vëllezër me njëri-tjetrin) në rolin e nxitësve dhe ndihmësve kanë bërë roje, ndërkohë që në banesë janë futur nga dritarja shtetasit Julian Qamili dhe Erind Seferkolli (ekzekutorët) të cilët kanë dhunuar dhe lidhur çiftin. Në vijim gjatë kontrollit të kryer në banesë kanë gjetur dhe kanë vjedhur 160 000 lekë të reja. Më pas autorët janë larguar. Kapja dhe ndalimi i tyre është bërë e mundur si rezultat i bashkëpunimit të Policisë Kufitare Kakavijë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë” njofton policia e Durrësit.
Ndërkohë bëhet e ditur se shtetasi Maliq Elezi ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve ndërsa bashkëshortja e tij Shahe është jashtë rrezikut për jetën. Një nga djemtë e çiftit, dy ditë pas ngjarjes së rëndë deklaroi se muret e shtëpisë ishin të mbuluara nga gjaku si pasojë e dhunës së ushtruar nga grabitësit me maska ndaj dy të moshuarve për të mësuar vendin ku ishin fshehur paratë.





