Nga Dritan Hila
Kur kryeministri bëri mbledhjen e ambasadorëve në muajin gusht, kryefjala e tij ishte “diplomacia ekonomike”. Edhe në takimin e kësaj fundjave të nëntorit dëgjuam të njëjtën gjë.
I njëjti refren ka qenë në katër vitet që shkuan dhe po të njëjtin refren kishte edhe Berisha. Që të gjithë me rezultatin zero. Madje ky i fundit nxori edhe teorinë e “1 Euros”. Në ato kohë punoja në drejtorinë ekonomike dhe kur e shpalli nismën, siç i bëjmë gjithmonë ne shqiptarët, nuk ishte mbrujtur akoma korpusi apo të kishte një studim. Dhe një nga ambasadorët në vendet e Evropës Lindore, në stilin më të mirë bolshevik për ti rënë borisë dhe solidarizuar me nismën, më telefonon dhe më thotë se çfarë do të thoshte kjo nismë pasi ishte rrugës për një takim që kishte organizuar me disa biznesmenë dhe donte t’ia u shpjegonte atyre. Se kur e dëgjoi, se kur i mblodhi brenda natës biznesmenët (për më shumë që biznesmenë lindorë nuk kanë sy për Qabe të investojnë këtu), një Zot e di. Për momentin kemi vetëm titullin, iu përgjigja, të tjerat më vonë.
E gjitha klasike si funksionon shteti shqiptar.
Besoj se kryeministri nuk ia ka idenë sesi funksionon diplomacia ekonomike, dhe e ka nuhatur që ky është një term me të cilin mund të terrorizojë diplomatët e shkretë që as ata nuk marrin vesh nga kjo punë sepse nuk janë të profilit. Të dish anglisht dhe tabelën e shumëzimit janë të mjaftueshme të jesh ministër apo kryeministër në Shqipëri, por nuk pi ujë në perëndim. Duhet të kesh një formim ekonomik që të bësh diplomaci ekonomike.
Kur më caktuan në këtë drejtori (drejtori që merrej me diplomacinë ekonimike dhe kulturore), bëra një memo të shkurtër sesi mund të funksiononte diplomacia ekonomike dhe kulturore. Besoj ka përfunduar në koshin e plehrave. Në atë kohë ishim vetëm dy diplomatë me formim ekonomik në gjithë ministrinë. Besoj se edhe sot nuk do të ketë më shumë se gishtat e njerës dorë. Gjithsesi do t'i lejoj vetes fare shkurt dy fjalë, që mbase i hyjnë në punë edhe shefit të qeverisë që mos të këndojë të njëjtën partiturë edhe vitin që vjen.
Në vendet normale për diplomacinë ekonomike ka agjenci të specializuara. Për shembull në rastin italian është Coperazione Italiana, që shqiptarët e njohin mirë. Në organikat e saj ka diplomatë, specialistë të ekonomisë dhe inxhinierisë. Kuptohet që nuk është rasti ynë pasi ne jemi vend pritës dhe jo dhënës, por për të kuptuar sesi funksionon struktura. Ata që janë diplomatë, janë njerëz me përvojë dhe kryesisht në nivel politik. Agjencia funksionon me buxhet më vete dhe titullar më vete. Kështu duhet të jetë edhe te ne, pasi nëse inkuadrohet në Ministrinë e Jashtme, buxheti i saj mund të shpërdorohet për nevoja të ditës. Shpesh luan rolin e kordinatorit me ministritë e ekonomisë dhe financave, por është ajo e fundit që thotë fjalën. Ka vende të tjera që kryetarin e agjensisë e kanë në rang zëvendësministri si rasti grek dhe ky është anëtar i qeverisë.
Në Shqipëri ka një agjenci të tillë që varej nga ministria e ekonomisë (!), e cila më shumë bënte rrugë jashtë. Një agjenci e tillë duhet të jetë në varësi të MPJ, por me autonomi dhe ku ministria ka vetëm orientimin politik të saj, ndërsa ministritë ekonomike bëjnë suportin teknik të saj.
Gjithashtu nuk mund të ketë diplomaci ekonomike pa një atashe ekonomik. Nuk mund ta bëjë diplomacinë ekonomike ambasadori pasi ai shërben vetëm në fund si orientues politik dhe nuk është agjent tregëtar.
Sa i takon diplomacisë kulturore, edhe në të shkuarën komuniste ka qenë një Komitet i Kulturës dhe Mardhënieve me Jashtë. Ai bënte pikërisht propagandën e kulturës shqiptare në botë, dhe nuk ka bërë pak, hiq anën ideologjike. Ishte i pavarur dhe me buxhet më vete. Ambasadat shërbenin si pritëse dhe koordinatore, por fjalën e fundit e thoshte komiteti. Ai suportohej nga Ministritë përkatëse në Shqipëri, ai hapte ekspozita jashtë, botonte libra dhe guida. Në Itali është Instituti i Kulturës Italiane që është aq shumë prezent edhe tek ne. Edhe kjo lloj diplomacie nuk mund të funksionojë pa praninë e një diplomati kulturor.
Bërë këto, jo vetëm që nuk do të ngatërohen portat, por diplomatët do të lihen të bëjnë punën e tyre.
Pra eksperiencat janë. Që të bëhen, duhen para dhe vullnet. Natyrisht edhe që mos të shikohen si vende qokash. Përndryshe le ti kursejnë vitin e ardhshëm ambasadorëve litaninë e diplomacisë ekonomike./dritare.net