Dezertimit të katër komandove shqiptarë në Angli, i ka kushtuar një artikull e përditshmja britanike "The Sun" e cila pasqyron kushtet e vështira në të cilat punojnë ushtarakët në vendin tonë.
Sipas "The Sun", katër komandot po fshihen tek komuniteti shqiptar në Angli.
Më tej, "The Sun" sjell në vëmendje se ata përballen me mbi 5 vjet burg për akuzën e dezertimit.
ARTIKULLI
"Detajet e zhdukjes së tyre muajin e shkuar, nuk u bënë publike, teksa policia dhe Ministria e Mbrojtjes kishte nisur një hetim për ta. Por ushtarakët, të identifikuar si Reni Ajazi, Ylber Kotri, Aleksandër Shkulaku dhe Kleviz Lamkaj, besohet se po fshihen në një komunitet shqiptar në vend. Ata ishin në mesin e 11 shqiptarëve të trajnimit të NATO-s në Uellsin qendror, fluturimet dhe akomodimi i të cilëve, përfshirë natën e fundit në Londër, u paguan nga Ministria e Mbrojtjes. Një burim tha: Ata duhet të ishin kthyer në bazë dhe të fluturonin mbrapsht për në Shqipëri ditën e nesërme. Një burim nga Forcat e Armatosura Shqiptare tha: "Drejtuesit e lartë janë të revoltuar. Familjet e tyre janë marrë në pyetje dhe hetimet po zhvillohen në Britani dhe Shqipëri".
Në trajnimin në fjalë, të drejtuar nga Brigada e 160 – të e Këmbësorisë më bazë në Brecon dhe zyrë qendrore në Uells, morën pjesë 139 skuadra nga e gjithë bota, të cilët konkurronin në sfida të ndryshme. Ndër to përfshihej edhe një marshim 60 kilometra përreth maleve. Shqiptarët në arrati, veteranë të luftës në Afganistan thuhet se janë pjesë e komandove elitë. Ata fitonin 220 paund (rreth 330 mijë Lekë) në muaj. Ish-drejtuesi i Forcave Speciale Shqiptare, Dritan Demiraj, e konsideroi sjelljen e ushtarakëve të papranueshme.
"E di që nuk janë paguar mirë dhe punojnë në kushte të vështira, por ajo që bënë është totalisht e pa justifikueshme. Ata udhëtuan drejt Britanisë për të përfaqësuar Shqipërinë në një trajnim ushtarak dhe unë u bëj thirrje që të rikthehen në vendin e tyre sa më parë të jetë e mundur".





