Bashkia e Durrësit aplikon në 2018 uljen e tarifës së lejeve të karburanteve që operojnë në rrethin e Durrësit. Vendimi është bërë publik nga drejtori i drejtorisë së tatim- taksave në bashkinë e Durrësit, Abdyl Koka, i cili tha se ishte Gjykata Kushtetuese e cila vendosi uljen e tarifës së lejeve të karburanteve me 50% për karburantet që ushtrojnë aktivitetin në rrethe.
Qeveria Rama kishte propozuar rritje të tarifës së lejes për subjektet e biznesit të madh në 2 milionë lekë të reja dhe në 200 mijë për subjektet e biznesit të vogël. Aktualisht Shqipëria ka taksat më të rënda mbi karburantet në rajon, gjë që është reflektuar në çmime gati 30 për qind më të larta të naftës apo benzinës në krahasim me Kosovën apo Maqedoninë.
Gjykata Kushtetuese vendosi që të ulë me 50% tarifat e propozuara nga qeveria Rama për karburantet. Kjo do të thotë se si operatorët e mëdhenj, ashtu edhe pikat më fundore do të paguajnë 50% më pak lejen e licencimit në bashki.
Abdyl Koka tha se bizneset e mëdhenj nga 2 milionë lekw qw paguanin mw parw, tashmw do tw paguajnw 1 milion lekë, ndërsa për pikat fundore tarifa nga 200 mijë lekw që propozoi qeveria bwhet 100 mijë lekë. Impakti i uljes së kësaj tarife pritet të ketë një ndikim jo mw shumw se 5 milionë lekë në të ardhurat e bashkisë për vitin 2018.
Vendimi fillestar i qeverisë për përcaktimin e kësaj tarife licencimi u mor në vitin 2015 dhe pa shpjegime nga ana e qeverisë të arsyeve që sollën këtë ndryshim. Sipas vendimit fillestar, të gjitha pikat ekzistuese të karburantit detyrohen të rilicencohen dhe për këtë, duhet të paguajnë 5 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se gjenden në territorin e bashkive të tjera.
Në dhjetor të vitit 2015, qeveria miratoi vendimin nr 970, në të cilin, imponoi qëçdo pikë karburanti duhet të marrë licencë për ushtrimin e aktivitetit nga një bashki dhe për këtë licencë duhet të paguajë 5 milionë lekë në rast se gjendet në territorin e Bashkisë Tiranë dhe 2 milionë lekë në rast se funksionon në territorin e një bashkie tjetër.
Qeveria me të njëjtin vendim imponoi gjithashtu detyrimin që çdo tregtar lëndësh djegëse, përfshirë pikat e shpërndarjes së gazit, të detyrohen t’i paguajnë bashkive një tarifë licencimi prej 1 milionë lekësh të reja për Bashkinë Tiranë dhe 200 mijë lekë për bashkitë e tjera, tarifa që natyrisht do të rëndojnë mbi konsumatorët.
Shpërndarësit e karburanteve u nënshtroheshin më herët të njëjtave kritereve për licencim, por tarifa e licencimit nga njësia e pushtetit vendor 50 herë më e ulët për Bashkinë Tiranë dhe 20 herë më e ulët për bashkitë e tjera.
“Gjykata vëren se rritja e tarifës së licencimit në masën 20 dhe 50-fish është arbitrare, e paarsyeshme, e paargumentuar dhe joproporcionale. Këshilli i Ministrave nuk arriti të argumentojë pretendimet e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në rregullimin e tregut të hidrokarbureve. Ai pranoi se ndërhyrja në fjalë nuk është mbështetur në ndonjë studim paraprak dhe të thelluar”,thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku u rrëzua rritja e tarifave.
Gjithsesi, rrëzimi i një veprimi të tillë abuziv nga Gjykata Kushtetuese duket se nuk vlejti shumë për qeverinë. Në prill 2017, qeveria mori një vendim të ri, në të cilin, pikat e karburanteve kërkohet të paguajnë një tarifë licencimi në masën 3 milionë lekë në Bashkinë Tiranë dhe 1 milionë lekë në bashkitë e tjera.
Por edhe pse ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese si arbitrar, kjo nuk e ka ndaluar Këshillin e Ministrave të vendosë një tarifë të re licencimi, e cila gjykohet nga shoqëritë hidrokarbure gjithashtu si shumë e lartë.
K.H.





