*Operacioni për ujin, ujësjellësat fushatë informimi derë më derë
Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Hantin Bonati organizoi sot një takim me drejtuesit e ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve në të gjitha bashkitë e vendit. Në vazhdim të takimit të një jave më parë, u prezantua në detaje plani i operacionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.
Pasi iu sqaroi drejtuesve të ujësjellësave se ata së bashku me bashkitë respektive janë aktorët kryesorë në këtë proces, zv.ministri Bonati garantoi se qeveria do të jetë mbështetëse, nxitëse dhe monitoruese e përpjekjeve të tyre për rritjen e performancës duke ulur humbjet dhe rritur arkëtimet.
Në takim u vu theksi edhe te nevoja që ndërmarrjet e ujësjellësave të mirëmenaxhojnë burimet njerëzore pasi në shumë raste ato janë të tejfryra.
“Mjafton t'u referohemi fakteve lidhur me humbjet që ka sot sistemi, gjysma e tyre rezulton që të jenë humbje nga mënyra e administrimit. Personat që ka çdo ndërmarrje, referuar standardeve, ne kemi dyfishin e stafit në ndërmarrjet e ujësjellësave. Duke marrë në konsideratë që kosto e shërbimit janë dy zëra kryesorë që është kosto e pagave e sigurimeve shoqërore që paguhen për stafin ashtu edhe kosto e energjisë elektrike, të dyja këto janë në gjykimin tonë shumë e thjeshtë që të reduktohen. Mjafton një riorganizim i brendshëm i ndërmarrjeve dhe numrat shkojnë sipas standardeve të përcaktuara”, u shpreh zv.ministri Bonati.
Ai kërkoi nga drejtorët e ujësjellësave që të ndërmarrin fushatë informimi për çdo abonent derë më derë duke i ftuar të bëhen pjesë e procesit të rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.





