Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për gjyqtarin Shkëlqim Miri. Pas përfundimit të seancës, avokati i gjyqtarit, Ardian Visha ka deklaruar për mediat se nuk ka prova të mjaftueshme për ta lënë Mirin në burg pasi paratë e gjetura janë të justifikuara me ligj.
Sipas avokatit Visha, një pjesë e shumës së gjetur në shtëpinë e gjyqtarit ishin të tijat, ndërsa pjesa tjetër ishin pjesë e një marrëveshjeje kontraktuale me një familjar, ndërsa shton më tej se shuma e gjetur do të përdorej për kurimin e gjyqtarit Miri, pasi është i sëmurë me tumor në kokë.
“Për ne ka një mungesë motivacioni logjik të prokurorisë. Ka një boshllëk pa asnjë veprim të grupit hetimorë. Nuk ka arsye dhe logjike. Rezultati për kontroll banese duke shfrytëzuar edhe presionin mediatik u përdor nga prokurori për të kërkuar këtë masë arresti. Shuma e parave është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë, ky gjyqtar ka kohë që punon. Nuk është paraja e gjitha e tij. Një pjesë ishin të tijat ndërsa të tjerat ishin pjesë e një marrëveshje kontraktuale me një familjarë. Paratë do të përdoreshin për kurimin e tij. Po të kishte prova për arrestim ta bënin para kontrollit të banesës ose paralelisht, jo kështu. Para së gjithash kërkonim nga prokuroria të mbështeste në prova qëndrimin e saj e të interpretojë pse kontroll banese në nëntor për një ngjarje të ndodhur në maj? Paratë e gjetura janë të familjarëve të gjyqtarit. Veprimi është i ligjshëm”, tha avokati mbrojtës i Mirit.
Shkëlqim Miri u ndalua për dyshimet e korrupsionit, ndërsa në banesën e tij u sekuestruan gjatë kontrollit me vendim gjykate 174 mijë euro, mbi 10 milionë lekë të rinj dhe 1 mijë dollarë (rreth 300 milionë lekë të vjetër). Hetimet për të kishin nisur në janar 2017, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po i jepnin lirinë Gentian Dodës, i akuzuar për vrasje dhe i ekstraduar nga Amerika 5 vjet më parë. 46-vjeçari nuk i ka pranuar akuzat ndërsa në pranga kanë përfunduar edhe 2 persona të tjerë që akuzohen si sekserë në këtë aferë.





