Anëtarët e Partisë Demokratike në Durrës, ashtu si demokratët në të gjithë vendin, morën pjesë sot në procesin e votimit “një anëtar, një votë” për të zgjedhur kryetarin e PD.
Dyndje demokratësh pranë selisë së degës lokale pati sidomos gjatë paradites.
Por ndërsa demokratët i drejtoheshin dhomës së fshehtë për të dhënë votën e tyre për njërin nga kandidatët në garë, Lulzim Basha, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, ajo që binte në sy ishte një fotografi e Bashës.
Përveç se është kreu i PD, Basha ishte dhe një nga kandidatët në garë, prandaj nuk duket e ndershme karshi rivalëve në garë, lënia e fotos së tij, pikërisht aty ku supozohej se anëtarët e PD Durrës do të shprehin me votë verdiktin e tyre për atë që do të kenë lider në 4 vitet e ardhshme.





