Në vizionin e drejtuesve të rinj të Autoritetit Portual, porti më i madh i vendit i ka kapacitetet profesionale dhe intelektuale për një ndryshim rrënjësor.
“Po ashtu, profesionistët e mirëfilltë të qytetit të Durrësit dhe të rinjtë e diplomuar me rezultate të larta në Universitetin “Aleksandër Moisiu” do të jenë në vemendjen e politikave të punësimit në APD.
Porti është një subjekt specifik dhe strategjik që kërkon një angazhim të plotë, cilësi të larta profesionale dhe obligim fizik në kryerjen e detyrave.
Specialistët dhe drejtuesit në pozicionet e reja do të përzgjidhen, duke rivlerësuar burimet ekzistuese në port dhe kapacitetet intelektuale të qytetit të Durrësit”, thuhet në njoftimin e APD-së.
Këto ditë në tre nga Drejtoritë e Drejtorisë Ekzekutive të APD-se janë emëruar Drejtuesit e rinj.
Blerina Hasani – Drejtore e Drejtorisë së Mjedisit, Sigurimit Teknik, Mbrojtjes së Shendetit dhe Departamentit të Emergjencave.
Znj. Hasani vjen nga një përvojë e mirë pune dhe drejtimi veçanërisht në sektorët e Projekteve, Turizmit dhe Mjedisit në Bashkinë Durrës si dhe në Këshillin e Qarkut.
Që prej 2008 ajo është pjesë e stafit Akademik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, me kohe te pjesshme.
Blerina Hasani është diplomuar në Fakultetin Histori – Filologji dhe është kualifikuar si Master i Nivelit Dytë (MND) në degën Gjeografi Fizike – Mjedis. Gjithashtu është duke mbrojtur Doktoraturen në Gjeografi Fizike – Mjedisore.
Blerina Hasani ka referuar apo ka marrë pjesë në një sërë Seminaresh dhe Trajnimesh brenda dhe jashtë vendit, ku ka trajtuar kryesisht tema të mjedisit për qytetin dhe qarkun e Durrësit.
Luan Ballshi – Drejtor i Drejtorisë Teknike dhe Zhvillimit.
Z. Ballshi ka nisur punë në portin detar të Durrësit në vitin 1989, sapo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinjerisë Mekanike (profili Transport) në Universitetin e Tiranës.
Ai ka kryer detyra të ndryshme si specialist dhe drejtues në Sektorin e Mirëmbajtjes dhe në Terminalin e Përpunimit të Mallrave Gjenerale, mineraleve dhe kontejnerëve.
Gjatë periudhës 1992-1999 ka punuar si Inxhinjer Projektues në Byronë teknologjike dhe Specialist Programimi.
Që nga marsi 2014- mars 2016 Luan Ballshi ka kryer detyrën si Drejtor Teknik dhe Zhvillimi në Drejtorinë Ekzekutive të Autoritetit Portual.
Ai ka një përvojë 28-vjeçare si specialist e drejtues i sektorëve të ndryshëm në portin më të madh të vendit tonë.
Elio Jani – Drejtor i Drejtorisë së Kontratave dhe Çështjeve Ligjore.
Që nga viti 2015 ai punon si Specialist në Sektorin e Monitorimit të Kontratave Koncesionare në të njejtën Drejtori.
Elio Jani vjen nga disa përvoja pune si Specialist në Sektorë të ndryshëm të Agjencisë së Legalizimit të banesave ALUIZNI si dhe PIU (Njësia e Zbatimit të Projektit ”Ndërtimi I Banesave me qëllim social) pranë Bashkisë Durrës.
Më parë ai ka kryer studimet në Universitetin Europian të Tiranës, ndërsa është titulluar Master i Nivelit të II për degën “E drejtë publike dhe private”.
Në vitin 2014 Elio Jani është kualifikuar si Avokat.