In memoriam
Teksa po përgatitnim faqet sportive për të përjavshmen Dyrrah, mësuam lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 83 vjeçare të intelektualit të njohur durrsak Naim Hasnedari. Ai është njëri prej vëllezërve të fisit të njohur të Hasnedarëve në Durrës, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në mjaft sektorë. Por angazhim të ndjeshëm ky njeri i mirë dhe fisnik, i cili me shumë kënaqësi reagonte ndaj çdo dukurie pozitive në qytetin e Durrësit e ka dhënë në ekipin e futbollit. Ai së bashku me shumë intelektualë të tjerë me peshë në Durrës, të cilët sigurisht nuk jetojnë më, kanë dhënë ndihmë kolosale në zhvillimin dhe përparimin e sportive në këtë qytet me tradita.
Në vend të kronologjisë, zgjodhëm nga arkivi ynë një foto nostalgjike e pabotuar më parë. Është e vitit 1969, ku Lokomotiva luante në Gjirokastër me Luftëtarin vendas. Dhe aty është fiksuar edhe përgjegjësi i ekipit Naim Hasnedari. Ai do të kujtohet gjithnjë për kulturën e gjerë dhe qytetare, për humorin e komunikimin e ngrohtë dhe të sinqertë më bashkëqytetarët e tij, për përpjekjet e mëdha për të zgjidhur probleme dhe halle të shumta që kishin qytetarët dhe konkretisht futbollistët. I përcjellim me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të tij, për humbjen e njeriut të tyre të shtrenjtë Naim Hasnedari.