Shpërndarësit e teksteve shkollorë neglizhojnë të lëshojnë kuponat, ndërsa Drejtoria Arsimore apelon për denoncimin e këtyre rasteve.

Një javë më parë nisi shpërndarja e teksteve mësimore për sistemin parauniversitar. Ndërsa prindërit kanë nxituar të pajisin fëmijët e tyre me libra, kanë konstatuar se disa prej teksteve mungonin, por pritet të mbërrijnë nga shtëpitë botuese para nisjes së vitit shkollor që starton më 10 shtator. Një problem më vete përbën fakti se shpesh tekstet shkollore shiten të pa shoqëruar nga kuponët tatimore.

Kjo shkelje përbën jo vetëm një rast të pastër evazioni fiskal, por nga ana tjetër penalizon familjet në nevojë, të cilave u është premtuar kompensimi i teksteve në masën 50%. Të gjitha familjet me të ardhura minimale pas blerjes së librave kanë të drejtë që pas dorëzimit të kuponit pranë drejtorisë arsimore të kërkojnë kompesim të vlerës së librave.

Shpërndarësit i shesin tekstet pa kupona tatimorë dhe ky fakt pohohet nga shumë prindër. Drejtoria Arsimore në Durrës u ka bërë thirrje të gjithë prindërve që para se të marrin kompletin e librave shkollorë të marrin kuponin tatimor, që më pas të përfitojnë kompensimin nga Ministria e Arsimit. Shpërndarjen e teksteve shkollore e realizojnë subjektet private dhe në rast të shkeljes së marrëveshjes së bërë me Ministrinë e Arsimit ka penalizime të ndryshme që parashikohen në kontratën e përbashkët.

Ndërkohë një problem më vete për shumë prindër përbën çmimi i teksteve shkollore që varion nga 3 deri në 5 mijë lekë për nxënësit e arsimit të detyrueshëm dhe atij të mesëm.

"Kam ardhur për të marrë librat e fëmijëve që i kam një në klasë të shtatë dhe një gjimnazist. Tek librat e klasës së shtatë mungojnë disa tekste, për shkollën e mesme nuk ka nisur akoma shpërndarja”,- deklaron Kujtim. B një banor i Durrësit. Për të dy fëmijët më duhen 100 mijë lekë për t’i nisur në shkollë. Do përpiqem që djalit t’i gjej libra të përdorur sepse me këto çmime nuk mund t’i blejmë dot të reja”.

Në distributorin kryesor të shpërndarjes së teksteve shkollore në qytetin e Durrësit mësojmë se probleme me tekstet kanë sidomos klasat e shtata, të teta dhe gjimnazistët. “Deri tani kemi shpërndarë 80% të librave në 63 shkollat e Durrësit, pjesa tjetër duket se do të vijë më vonë nga shtëpitë botuese, të cilat nuk i kanë nxjerrë akoma pjesën e mbetur.

Tekste si Kimia, Anglishtja, por edhe Informatika mungojnë në kompletet e librave”,- thotë një prej distributorëve. Pritet që nga dita në ditë edhe shtëpitë botuese të sjellin tekstet sipas çdo shkolle.