Për t’u hakmarrë ndaj ish të dashurit me të cilin ishte ndarë para pak kohësh një 31 vjeçare vendos t’i djegë atij shtëpinë dhe makinën. Rasti në fjalë u regjistrua vetëm pak ditë më parë në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit, kur 31 vjeçarja A.Pilinci, pasi dispononte një kopje çelësash të apartamentit të 32 vjeçarit A. Copa, u fut në banesën e tij dhe me një sasi qymyri që kishte marrë me vete ndezi zjarr brenda në apartament.

Gjatë kohës që po largohej, ajo nuk nguroi t’i vinte flakën edhe automjetit në posedim të këtij shtetasi, tip benz me targë AA882AR. Burime policore bëjnë të ditur se dy të rinjtë banonin në të njëjtën lagje dhe kishin lidhje intime prej një kohe relativisht të gjatë. Duket se mos marrëveshjet e kohëve të fundit dhe xhelozia e kanë shtyrë çiftin t’i japë fund marrëdhënies.

Por duket se ky fakt nuk është kapërdirë nga vajza e cila ka nisur të mendojë sesi do të hakmerrej ndaj ish të dashurit me të cilin kishte qenë e lidhur për shumë kohë. Duke qenë se dispononte një kopje të çelësave të banesës, të cilat 32 vjeçari Copa ia kishte dhënë në mirëbesim gjatë kohës ku ishin të lidhur vajza ka menduar se mënyra më e mirë për të marrë hak ndaj tij ishte djegia e shtëpisë dhe automjetit.

Si pasojë e zjarrit shumë orendi dhe pajisje shtëpiake në shtëpinë e Copës kanë dalë jashtë përdorimit. Pas hetimeve dhe mbledhjes së provave në vendngjarje, efektivët e rendit prangosën piromanen që tashmë akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr” si dhe “shkatërrim prone me zjarr e mbetur në tentativë”.

Duket se tashmë vajza do të vuajë pasojat e veprimit të saj dhe përveç faktit se do t’I duhet të përballet me akuzat e ngritura nga prokuroria nuk do të këtë më asnjë mundësi të rikthehet me djalin që dashuronte.