Që nga fillimi i këtij viti strukturat policore të portit kanë parandaluar një sasi mjaft të madhe të lëndës narkotike Cannabis Sativa. Kjo sasi deri në 6-mujorin e parë të këtij viti ka qenë plot 1 ton, por në muajit korrik-gusht, është kapur një tjetër sasi e madhe e cila shkon në më shumë se 700 kg në total.

Ajo që është theksuar nga efektivat e Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Durrës, është fakti se shtetas të ndryshëm kanë tentuar të kalojnë sasira të ndryshme lënde narkotike të llojit cannabis sativa në periudhën e fluksit të emigrantëve. Të shtyrë nga mendimi se në kohë fluksi nuk kushtohet e njëjta vëmendje dhe vigjilencë nga strukturat policore, shumë persona kanë rënë pre e tundimit për trafikun e kësaj lënde narkotike drejt Italisë, por më pas kanë rënë në pranga dhe tashmë janë në përballje me drejtësinë për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Gjatë harkut kohor të një jave në portin e Durrësit janë shënuar tre raste të trafikimit të lëndëve narkotike. 336 kg cannabis dhe 8 kg heroinë janë zbuluar në një autoveturë dhe dy kamionë që tentonin të iknin drejt Italisë. Rasti i parë gjatë të cilit u ndaluan tre femra me akuzën “trafikim të lëndëve narkotike” ka qenë ai i datës 24 gusht, kur në një autoveturë tip Ford Focus, u zbuluan 8 kg heroinë të fshehura në serbator si dhe një kilogram në kroskotin e kësaj autoveture.

Policia bëri të ditur se për këtë ngjarje efektivat e policisë kufitare kanë ndaluar shtetaset D. Dervishi, 27 vjeçe, banuese në Tiranë, motrën e saj, shtetasja M. Dervishi, 32 vjeçe dhe kushërirën e tyre nga Durrësi S. Popa, 31 vjeçe. Automjeti tip Ford Focus me targa AA465 DD, i cili drejtohej nga shtetasja D. Dervishi dhe si pasagjere udhëtonin 2 shtetaset e tjera u ndalua nga efektivët e policisë kufitare.

Mjeti në fjalë do të udhëtonte drejt Italisë, por gjatë kontrollit fizik të mjetit të ushtruar nga shërbimet policore, në pjesen e kroskotit u gjetën dy pako të mbështjella me celefon të bardhë, brenda të cilave ndodhej një sasi pluhuri, që për nga karakteristikat ngjason me lëndën narkotike heroinë.

336 kg cannabis dhe 8 kg heroinë janë zbuluar në harkun kohor të një jave në një autoveturë dhe dy kamionë që tentonin të iknin drejt Italisë. Të shtyrë nga mendimi se në kohë fluksi nuk kushtohet e njëjta vëmendje dhe vigjilencë nga strukturat policore, shumë persona kanë rënë pre e tundimit për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë

Më pas, gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, në depozitën e karburantit të tij u gjetën edhe 8 pako të tjera me substancë të ngjashme me të mëparshmen. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që transportonte lëndën narkotike, 5 aparate telefoni celular së bashku me kartat SIM dhe shuma prej 1850 euro.

Pas seancave të pyetjeve, drejtuesja e automjetit, Diana Dervishi, pranoi se ishte ajo që po e transportonte lëndën narkotike, ndërkohë që motra e saj dhe kushërira nuk kishin dijeni për të. Dy rastet e tjera, më të freskëta, lidhen me zbulimin e 186 dhe 150 kg cannabis në dy kamionë në datat 29 dhe 31 gusht. 186 kg e 750 gramë cannabis sativa, e cila kishte si destinacion parësor Italinë, u kapën mesnatës midis të mërkurës dhe të enjtes në një kamionçinë nga shërbime të Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Policisë Kufitare, të atashuara në Pikën e Kontrollit Antidrogë në Portin Detar të Durrësit.

Drejtuesi i kamionçinës u arrestua në flagrancë dhe një shtetas i dytë u shpall në kërkim për trafikimin e lëndës narkotike. Policia arrestoi shtetasin Adrian Cingi, 49 vjec, banues në Tiranë për këtë ngjarje. Në pikën e Kalimit Kufitar të Portit Detar, gjatë një kontrolli të ushtruar nga punonjësit e Policisë në kamioçinën e markës Mercedes Benz me targa AA623EP që drejtohej prej tij dhe do të udhëtonte drejt Italisë, në pjesën ballore te rimorkios u konstatuan 35 thasë celefoni me masë bimore në gjendje të thatë, e cila ngjason me bimën narkotike Cannabis Sativa.

150 kg të tjera cannabis sativa, u kapën gjatë mëngjesit të ditës së premte në të njëjtin vend nga shërbimet e antidrogës në portin më të madh në vend. Drejtuesi i kamionit, Pajtim Islamaj 38 vjeç, nga Vlora u arrestua në flagrancë për trafikimin e lëndës narkotike. Burime zyrtare të policisë kufitare bënë të ditur se gjatë një kontrolli të ushtruar në kamionin me targa AA057 EO që drejtohej prej Islamajt dhe që do të udhëtonte drejt Italisë, brenda automjetit, u konstatuan disa thase celefoni me masë bimore në gjendje të thatë, e cila kap peshën 150 kilogramë.

Rastet

24 gushtNë automjetin Ford Focus me targa AA465 DD u zbuluan 9 kg heroinë të fshehura në serbator si dhe në kroskotin e kësaj autoveture. Efektivët e rendit bënë të ditur se për këtë ngjarje punonjësit e policisë kufitare kanë ndaluar shtetaset D. Dervishi, 27 vjeçe, banuese në Tiranë, motrën e saj, shtetasja M. Dervishi, 32 vjeçe dhe kushërirën e tyre nga Durrësi S. Popa, 31 vjeçe.

29 gushtU zbulua 186 kg e 750 gramë cannabis sativa, në një kamionçinë që drejtohej nga shtetasi Adrian Cingi, 49 vjeç, nga Tirana. Drejtuesi i kamionçinës u arrestua në flagrancë ndërsa një shtetas i dytë u shpall në kërkim për trafikimin e lëndës narkotike. Sasia e cannabis sativës ishte fshehur në pjesën ballore të rimorkios së kamionçinës me targa AA623EP. Lënda narkotike, në gjendje të thatë, ishte ndarë në 35 thasë celefoni.

31 gusht –  150 kg cannabis sativa, u kapën gjatë mëngjesit të së premtes së kaluar në të njëjtin vend ku u zbulua sasia e drogës e dy ditëve më parë. Drejtuesi i kamionit, Pajtim Islamaj 38 vjeç, nga Vlora u arrestua në flagrancë për trafikimin e lëndës narkotike. Burime zyrtare të policisë kufitare bënë të ditur se gjatë një kontrolli të ushtruar në kamionin me targa AA057 EO që drejtohej prej Islamajt u konstatuan disa thasë celefoni me peshë 150 kg.