Një rrugë e re, që lidh fshatrat e bashkisë së Sukthit dhe komunës së Manzës me plazhet e gjirit të Lalzit është përuruar paraditen e së shtunës në prani të kryeministrit të vendit Sali Berisha. Kryeministri vlerësoi se rruga e re do t’i shërbejë veçanërisht turizmit të zonës. “Kjo rrugë do të ndikojë për ta kthyer territorin në një nga zonat më të bukura turistike të vendit. Rruga e re do të ndihmojë biznesin dhe do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës",- tha kryeministri Berisha, duke shtuar se punësimi i njerëzve është një nga objektivat madhore të qeverisë.
Kreu i qeverisë theksoi se kriza e rëndë në BE dhe rajon nuk e ka prekur Shqipërinë pasi këtë e tregojnë investimet e një pas njëshme. ‘Do ketë investime që do e bëjnë Shqipërinë një superfuqi. Do t’i japim frymëmarrje të gjerë investimeve në sektorin privat”,- shtoi më tej kreu i ekzekutivit.
Sipas tij, investimet në rrugë rikthehen pesë herë më të mëdha në formën e të ardhurave që sjell zhvillimi pasi sipas tij që nga viti 2005 qeveria demokratike ka ndërtuar dhe rikonstruktuar afro 10 mijë km rrugë. Ulja e taksave ka sjellë gjithashtu shtimin me 2-3 herë të numrit të bizneseve deklaroi në Durrës kryeministri Berisha.
Akuzat ndaj opozitës
Duke iu përgjigjur në distancë opozitës, kreu i qeverisë tha se, "fatmirësisht vendimet për ndërtimin e rrugëve të reja nuk mund të bllokohen në parlament me 3/5 e votave". Ai kujtoi votën "kundër" të deputetëve të majtë për ndërtimin e Rrugës së Kombit, qëndrimin negativ për rrugën Tiranë-Elbasan apo edhe për financimin e rrugës për në Tepelenë.
“Kjo rrugë do të ndikojë për ta kthyer territorin në një nga zonat më të bukura turistike të vendit. Rruga e re do të ndihmojë biznesin dhe do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës. Punësimi i njerëzve është një nga objektivat madhore të qeverisë. Do ketë investime që do e bëjnë Shqipërinë një superfuqi. Do t’i japim frymëmarrje të gjerë investimeve në sektorin privat” ",- tha kryeministri Berisha
“Deklaratat kundër rrugëve të reja apo bizneseve e bëjnë kreun e socialistëve një Don Kishot që lufton ndaj mullinjve të erës apo shkruan letra të hapura si në kohët e shkuara", tha Berisha. Ai tha se, "që nga anëtarësimi i vendit në NATO, investimet e huaja janë rritur në masën 316 për qind. Turizmi po bëhet industria kryesore e vendit.
Nga 300 mijë turistë në vitin 2004, aktualisht ne mirëpresim, sipas parashikimeve deri në 4.4 milion turistë". Lidhur me rrugën e sapondërtuar kreu i qeverisë vuri në dukje se ky investim do të ketë impakt të madh në turizëm.
Rruga
Rruga e re Hamallaj-Manëz-Tiranë ka gjatësi 5,1 kilometra dhe gjerësi 6 metra. Investimi i Qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit kap vlerën e 172 milionë lekëve, dhe mundëson qarkullimin e automjeteve në ndihmë të më shumë se 6500 banorëve të zonës dhe qindra pushuesve që zgjedhin plazhin pranë fshatit Hamallaj.
Bashkë me sektorin Rinia, Rrushkullin dhe Shën Pjetrin, ky është një nga plazhet e vijës bregdetare të qarkut të Durrësit, që kanë nisur të shfrytëzohen masivisht gjatë viteve të fundit. Rruga Armath-Hamallaj- Hidrovor ka parametra bashkëkohorë. Bashkë me asfaltimin e rrugës me gjatësi prej 5.1 km dhe gjerësi 5 m, janë ndërtuar trotuarët dhe është instaluar ndriçimi rrugor.