Me dhjetëra e dhjetëra dyqane të shitjeve me pakicë kanë ulur qepenat duke mbyllur aktivitetin, ndërsa pronarët janë në kërkim të qeramarrësve të rinj, që në këtë situatë janë të paktë. Një valë e fortë falimentimi ka goditur biznesin e vogël të shitjeve me pakicë në Durrës. Klima e pa favorshme e krijuar prej më shumë se një viti në vendin tonë, fuqia e vogël blerëse, ulja e eksporteve si dhe efektet negative të krizës globale kanë bërë që bizneset private të tkurren në kufijtë historikë. Muajt e fundit në tregun industrial kanë braktisur dyqanet e marra me qera rreth 160 tregtarë të bizneseve me pakicë. Tregtarët  shprehen se janë detyruar të mbyllin bizneset e tyre pasi kohët e fundit niveli i xhiros është zero, ndërsa pjesa tjetër e tregtarëve janë të mbërthyer pas shpresës se gjendja do të përmirësohet. Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së fuqisë blerëse.

Përfaqësues të shoqatës së tregut industrial në Durrës, deklarojnë se mungesa e fuqisë blerëse është një prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballet biznesi i vogël. Tregtarët deklarojnë edhe një sërë problemesh të tjera, që nisin nga mungesa e infrastrukturës në treg, rritja e kursit të këmbimit të euros si dhe rritja e çmimeve. Sipas tregtarëve, pavarësisht rritjes së çmimeve nga importuesit, kjo nuk është reflektuar në shitjen e mallit me pakicë. “Situata nuk na ka lejuar t’i rrisim çmimet, sepse do të largonim klientët, megjithëse kohët e fundit ata na kanë braktisur”,- shprehet njëri prej tyre. Ndërkohë e njëjta situatë paraqitet edhe në aktivitetet e tjera. Janari muaji i parë i vitit është shoqëruar me mbylljen e shumë aktiviteteve të biznesit të vogël, veprim që ka vazhduar muaj pas muaji deri tani. Sipas statistikave, biznesi i ndershëm po përballet me një krizë të gjithanshme ekonomike. Evident është fakti se me dhjetëra aktivitete janë mbyllur si pasojë e mungesës së fuqisë blerëse, por edhe e rritjes së taksave dhe tarifave vendore.