Pas luftës mediatike dhe politike për importin e mbetjeve tashmë ajo është përqëndruar në port nga ku sipas disa institucioneve ngarkim-shkarkimi i mineraleve rifuxho është mjaft i dëmshëm për ndotjen e mjedisit. Nuk është vetëm sektori i ngarkim shkarkimit i cili dëmton mjedisin, por këmbanat bien edhe për kalatën lindore dhe për portin e peshkimit, i cili është konsideruar si më i dëmshmi për ndotjen e mjedisit, por edhe për portin e peshkimit. Reagimi i parë ka ardhur nga agjensia rajonale e mjedisit, ku kreu i saj Ramazan Kalia është shprehur se qyteti i Durrësit është mes ndotjes; në njërën anë plehrat në porto Romano dhe nga ana tjetër mineralet dhe porti i peshkimit. Reagime ka patur edhe nga bashkia ku kryebashkiaku Dako e ka quajtur si të pa pranushme situatën e krijuar në port. Dako më tepër është përqendruar tek porti i peshkimit, të cilin ai e ka quajtur një varrëzë mjaft të dëmshme për mjedisi. Nuk ka munguar reagimi edhe nga drejtoria e shëndetit parësor në Durrës. Vasil Ziu kreu i shëndetit publik deklaroi se Durrësi duhet të heqë imazhin e krijuar, atë të një bregdeti të ndotur. Ziu tha se të gjitha mineralet në kalatën lindore duhet të përpunohen sipas rregullave.
Ramazan Kalia, kryetari i agjensisë rajonale të mjedisit për degën e Durrësit
Rritja e shifrave të ndotjes së mjedisit si pasojë e mineraleve dhe të portit të peshkimit ka tërhequr vëmendjen si të qytetarëve edhe të strukturave shtetërore, konkretisht edhe vëmendjen tonë si agjensi mjedisi. Durrësi tani është kthyer në problem madhor dhe tepër shqetësues. Tashmë qyteti bregdetar i Durrësit po vuan një fenomen që ka nisur që vite më parë dhe më e keqja është se nuk e dimë se kur do të marrë fund. Qyteti i Durrësit ndotet nga të dyja anët si nga ajo ana jugore që është porti i qytetit dhe nga ana veriore ku digjen edhe plehrat në zonën e Porto-Romanos. Siç e kam shprehur me dhjetra herë agjensia rajonale e mjedisit ka gjobitur disa bashki, komuna e ndërmarrje në qarkun e Durrësit për shkak të djegies në natyrë te mbeturinave. Por i kemi bërë të ditur edhe portit që të marrë masa për të larguar portin e peshkimit, pasi aty ka ndotje të madhe. Sigurisht që edhe nga porti mund të ndotet mjedisi në qytet. Ndotjen më të madhe e bënë porti i peshkimit me anë të papastërtive që ka rreth tij dhe nga ana tjetër ndotja vjen edhe si pasojë e ngarkim-shkarkimit të mineraleve të cilat përpunohen rifuxho. Për këtë autoriteti portual duhet të marrë masa urgjente dhe të largojë menjëherë portin e peshkimit nga vendi ku ndodhet aktualisht. Ndotja në qytetin e Durrësit është disa herë më e lartë sesa shifrat e lejuara. Prandaj u bëj thirrje jo vetëm institucioneve, por edhe individëve që të ruajmë mjedisin nga ndotja.
Vangjush Dako, kryetari i bashkisë Durrës
Vendi ku aktualisht po bëhet ngarkim shkarkimi është fare pranë qytetit dhe si pasojë e erës ndotja arrin deri në qytet. Të gjithë pallatet që janë buzë portit kanë një problem të madh. Po të dalësh të kontrollosh jam i sigurt se asnjë apartament nuk i mban dritaret hapur. Një problem tjetër i cili është edhe më i madh është porti i peshkimit. Aty nuk mund të thuash se është porti i peshkimit por unë do ta quaja varrezë. Aty ka me dhjetra anije të cilat nuk janë aktualisht në punë dhe disa të tjera të mbytura. Kjo është mjaft problematike për mjedisin, pasi anijet janë shumë të vjetra dhe të ndryshkura.
Vasil Ziu, kreu i shëndetit parësor Durrës
Nuk është se e kemi konstatuar këtë fenomen që po thoni ju, por pasi ta kemi verifikuar do të kërkojmë nga agjensia e mjedisit që të marrë masa. Është e vërtetë se mineralet të cilat ngarkohen rifuxho, kur është mot me erë ato vijnë deri në brendësi të qytetit. Për këtë duhet të merren masa dhe mënyra më e mirë është që ngarkimi të bëhet diku larg qytetit në pjesën jugore të portit. Unë do të thoja se më ndotëse se kjo është vetë porti i peshkimit. Për disa muaj ne do të nisim të bëjmë analizat e ujit të detit për të parë nëse ato do të jenë optimale për të pritur pushuesit. Edhe inspektorët e shëndetit parësor të cilët janë angazhuar në terren kanë konstatuar se tek porti i peshkimit uji është i ndotur. Shkak për këtë mendoj se janë bërë anijet e vjetra, të cilat janë me ndryshk dhe dërrasa të kalbura. Ju e dini shumë mirë se sa vuajtëm këtë vit për sa i përket ndotjes së ujit të detit. Në disa zona nuk u lejua që të bëhej plazh. Prandaj nëse nuk duam që edhe vitin e ardhshëm bregdeti i Durrësit të jetë i pari në listën e të ndoturve duhet të marrim masa që tani, në të kundërt do të vuajmë pasojat.