Grupi i Pinokut në kopshtin “7 Marsi” në qytetin e Durrësit ka festuar festat e fundvitit. Grupi parashkollor që drejtohet nga edukatoret Laura dhe Drita ka dhënë koncertin e fundvitit, i cili është ndjekur nga shumë prindër si dhe gjyshërit e fëmijëve pesë-vjeçarë. Një koncert në të cilin përmblidheshin recitime vjershash, këngë si edhe vënien në skenë të pjesëve të ndryshme nga përralla si “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”, “Kësulkuqja”, etj. Për afro një orë e gjysmë fëmijët kanë recituar, kënduar dhe janë argëtuar me njëri-tjetrin, ndërkohë që shfaqjen e tyre e kanë shijuar edhe prindërit e pranishëm. Lendi, Goldi, Mekensi, Melisa, Eltoni, Arla, Xhulio, Marseli, Donaldi, Keida dhe shumë fëmijë të tjerë janë mjaft të gëzuar në prag të festave. Ata shprehen se i pëlqejnë shumë festat për shkak të zbukurimeve që bëhen në kopsht dhe në qytet, zbukurimet në shtëpitë e tyre dhe sidomos mezi presin dhuratat që do të marrin me rastin e tyre. Ata kanë shkruar tashmë letrat e tyre për dhurata, të cilat sipas traditës i “lexon” Babagjyshi  dhe më pas dërgon dhuratat tek çdo fëmijë. Në mungesë të mbështetjes financiare për dhuratat e fundvitit nga ana e institucioneve arsimore apo pushtetit lokal, lodrat për fëmijët e këtij grupi janë mundësuar falë donacionit të tre prindërve që kanë fëmijët e tyre në grupin e tretë të kopshtit “7 Marsi”.

Lendi: Sa bukur e kam zbukuruar shtëpinë time! Më ka ndihmuar babi e mami. Motra ime është e vogël dhe vetëm loz me dhuratat që ia dërgoj unë. Babagjyshi i Vitit të Ri do të na sjellë lodra të bukura. Fëmijët e kopshtit më kanë thënë se do të vijnë për vizitë tek unë së bashku me edukatoret.

Goldi: Kemi dy javë që rregullojmë kopshtin tonë. Edukatoret na kanë mësuar të gjitha se ku duhet të vendosim Babagjyshin dhe ku lodrat e tjera. Jemi veshur të gjithë me rrobat e festës dhe kemi mësuar shumë vjersha e këngë të bukura.

Mekensi: Do rri zgjuar bashkë me prindërit. Do pres deri sa të ikë viti i vjetër e të vijë Viti i Ri. Kam blerë fishekzjarre dhe do i ndez natën që të ndriçojnë gjithë qiellin. Gjyshi më ka premtuar se do të më marrë me vete për të blerë frutat dhe ëmbëlsirën. Babi do të blejë gjelin e detit, kurse mami do të bëjë bakllavanë.

Keida: Dua të rri këtu tek kopshti im, me edukatoret dhe fëmijët. Këtu është shumë bukur. Dua të lozim dhe të këndojmë së bashku. Në shtëpi nuk kemi kaq shumë dhurata. Kopshti im është më i bukuri në botë. Edhe edukatoret janë më të mirat në botë. Krishtlindja dhe Viti i Ri do të na sjellin kartolina e letra nga fëmijët e tjerë.