Shifra alarmante kriminaliteti, rritet numri i vrasjeve ulet forca zbuluese e policisë

Në dy vitet e fundit në qarkun e Durrësit numri i vrasjeve është rritur ndjeshëm, ndërsa është për tu theksuar fakti që vrasjet më të bujshme, ato të stilit mafioz të ndodhura gjatë kësaj kohe nuk kanë ende një autor apo pistë hetimi nga organet e ngarkuara për zbardhjen e tyre. Sipas specialistëve autorët e këtyre vrasjeve janë profesionistë të mirëorganizuar, të cilët mundohen të mos lënë asnjë gjurmë në vendngjarje. Vrasja e biznesmenit nga Tirana dhe ajo e oficerit të shërbimit informativ shtetëror Isa Çopës, të cilat janë ngjarjet më të freskëta në memorien e qytetarit durrsak, por edhe vrasjet e tjera të ndodhura vitet e fundit, tregojnë më së miri se si krimi i organizuar mund të të vrasë në mes të ditës në qëndër të qytetit dhe autorët me shumë gjasa mund të mos kapen kurrë.

A është kjo një këmbanë alarmi për qytetarin dhe shoqërinë në qytetin tonë? Por krahas vrasjeve të tipit mafioz, një numër i madh krimesh familjare janë regjistruar në qarkun e Durrësit, ku në disa raste burri ka vrarë gruan apo edhe anasjelltas. Shifrat alarmante të rritjes së numrit të vrasjeve, por edhe e uljes së forcës parandaluese nga ana e policisë, bien në sy pa pasur nevojë të bëhet shumë analizë. Madje, edhe ato vrasje të zbardhura nuk u përkasin ngjarjeve të bujshme, që pavarësisht insistimit të vetë policisë, por edhe të politikës, mbeten ende të pazbardhura. Ndërkohë vetë organet e drejtësisë, të cilat kanë për detyrë të ndëshkojnë autorët e krimeve, në disa raste me veprimet antiligjore apo me mos veprimet e tyre i kanë nxitur akoma edhe më shumë ata.