Përballja e dytë brenda javës mes dy skuadrave, ndeshja e parë u mbyll me barazim
Durrsakët kërkojnë të mos dalin pa pikë nga fusha kamziote për të ruajtur kreun e klasifikimit
Kjo javë për ekipin e Teutës nuk ka qenë si të gjitha javët e tjera. Në ambientet sportive pranë stadiumit “Niko Dovana" ku ekipi stërvitet është vënë re se seancat stërvitore kanë nisur me herët se zakonisht dhe kanë përfunduar si rrallëherë më parë në orët e vona të natës. Sipas drejtuesve të klubit ky ndryshim programi ka ardhur si pasojë e parapërgatitjeve që durrsakët po bëjnë në prag të ndeshjes kundër ekipit kryeqytetas të Kamzës. Madje dy seancat e fundit stërvitore janë zhvilluar në stadium me dyer të mbylluara. Dje ekipi ka bërë seancën e fundit stërvitore përpara se të nisen për në Tiranë. Teuta do të udhëtojë sërisht sot për në kryeqytet ku do të zhvillojë takimin e radhës në kampionat kundër ekipit më në formë për momentin, Kamzës. Për durrsakët, takimi i sotëm do të jetë i dyti që zhvillojnë brenda pak ditësh. Vetëm katër ditë më parë dy ekipet luajtën ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ndërsa gjithçka u nda në barazim. Takimin e sotëm djemtë e Hasan Likës e shikojnë si mjaft të rëndësishëm për sa i përket ecurisë në kampionat.
Dy ditë përpara ndeshjes kapiteni Sheta është shprehur se durrsakët do të shkojnë në Tiranë vetëm për fitore. “Nuk kemi se çfarë të presim më, tashmë duhet të tregojmë se sa vlejmë në të vërtetë. Duhet të luajmë edhe jashtë ashtu siç luajmë në fushën tonë. Ndryshe nga ekipi i Kamzës, ne në fushë do të dalim si kryesues të kampionatit dhe kjo besoj se do të na ndihmojë për moralin e skuadrës. Ne luajtëm edhe katër ditë më parë në fushën e Kamzës dhe dolëm barazim, por ndeshja ishte për Kupë dhe në Kupë nuk po na ecën fare. Duhet të mos e kthejmë kokën pas, por të shikojmë vetëm përpara, pasi vetëm kështu do të mund të jemi një ekip i denjë për të luftuar për titullin kampion”,- është shprehur Sheta. Të njëjtin mendim me kapitenin ndan edhe mbrojtësi tjetër i qendrës ,Tefik Osmani. Edhe pse ka vetëm 3 muaj në Durrës ai është përshtatur mjaft mirë me pjesën tjetër të ekipit. Madje në disa raste Osmani ka qenë mjaft deçiziv kur ka ndihmuar shokët e skuadrës, të cilët së bashku me të kanë qenë në rrezik.
Teksa ka vlerësuar në maksimum kundërshtarin, Osmani tha se kundër Kamzës ekipi nuk do t’i nënshtrohet lojës së vendasve, por do të luajë lojën e tij. “Nëse i nënshtrohemi kamziotëve dhe i lejojmë ata të bëjnë lojën e tyre morëm fund. Duhet që me çdo kusht t’i pengojmë dhe të jemi ne ata që të drejtojnë lojën. Unë kam besim se nëse luajmë ashtu siç dimë ne të luajmë, do të dalim fitimtarë nga fusha. Në të kundërt gjërat do të ndërlikohen shumë. Pasi kjo do të ndikojë në gjendjen morale të skuadrës”,- ka përfunduar Osmani. Të inkurajuar nga më të vjetrit edhe të rinjtë kanë fituar një besim në vetvete ndërsa thonë se nuk do të shkojnë në Tiranë për të kaluar një pasdite, por për të treguar se janë ekipi më i qëndrueshëm në kampionat. “Kemi punuar për gjatë gjithë javës për t’u përgatitur sa më mirë për takimin kundër kamziotëve. Pavarësisht se ekipi i Kamzës u ngjit mes më të mirave vetëm këtë vit, ata janë shumë të rrezikshëm dhe mund të godasin në çdo moment. E kemi vlerësuar ndeshjen në maksimum dhe kam besim se do ta kalojmë me sukses edhe pengesën Kamza”, – deklaroi mbrojtësi i krahut të djathtë, 22-vjeçari Shaqir Stafa.
Ndërsa edhe pse pak më i rezervuar se djemtë e Teutës, kjo edhe për shkak se kërkon t’i shmangë të besuarit e tij nga ndonjë eufori që mund të ndikojë për keq në ecurinë e “axurrëve” trajneri Lika është shprehur optimist për këtë takim. Ai tha se ka besim tek djemtë e tij dhe se nga Tirana do të kthehen me pikë. “Djemtë kanë fituar besim në vetvete, tashmë janë bërë të papërmbajtshëm dhe kjo me jep edhe mua si trajner shtysë që të jem më i sigurt për ecurinë e kampionatit. Ekipi po kalon një formë mjaft të mirë dhe fatmirësisht nuk kemi patur as edhe një dëmtim serioz. Përkundrazi skuadra është përforcuar akoma edhe më shumë pasi në gjirin e saj janë kthyer pas një periudhe shumë të gjatë dy nga lojtarët e saj më të mirë siç është Bledar Mancaku dhe Altin Hoxha. Mesfushori Hoxha dhe Mancaku janë mjaft të dobishëm sidomos në takime të tilla, ku diferencën mund ta bëjë eksperienca. Shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu si e kemi përgatitur. Për të qendruar në krye të kampionatit edhe për këtë javë na duhet me patjetër që të kthehemi me pikë nga Tirana”,-ka deklaruar Lika një ditë përpara ndeshjes me Kamzën. Hasan Lika do të udhëtojë drejt kryeqytetit me të gjithë ekipin.
Fatmirësisht nga takimi i luajtur ditën e martë për Kupën e Shqipërisë, po kundër ekipit kamziot nuk pati asnjë lojtar të dënuar apo të dëmtuar. Po gjithashtu edhe gjatë javës në kampin blu nuk është konstatuar asnjë dëmtim. Trajnerit Lika dhe ndihmësit të tij, Sulejman Starova u është premtuar nga presidenti i skuadrës së “Teutës”, Edmond Hasanbelliu, se në merkaton e janarit do të vijnë në ekip tre-katër lojtarë të rinj në mënyrë që ekipi të jetë sa më i plotë dhe rezultativ. Burime brenda klubit të “Teutës” thonë se bëhet fjalë për një sulmues, dy mesfushorë dhe një mbrojtës krahu. Po të njëjtat burime pohojnë se pavarësisht ofrimit të katër lojtarëve të rinj nuk do të ketë largime. Si Teuta ashtu edhe Kamza janë dy shembuj klubesh që kanë besuar dhe investuar tek talentet e reja dhe kanë përfituar disa rezultate mjaft të mira, sidomos për të ardhmen e tyre dhe të futbollit shqiptar. Takimi Kamza-Teuta do të zhvillohet ditën e sotme në orën 13;00 në fushën e Kamzës.