U ndaluan pasi kontrabanduan 41.500 litra karburant

Shtatë personat e arrestuar për kryerjen e veprës penale të kontrabandës me mallrat e akcizës janë lënë në burg nga gjykata e Durrësit. Pasi u njoh me provat e prokurorisë trupi gjykues vendosi masën “arrest me burg” për të pandehurit. Por trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari, Kastriot Selita ka vlerësuar se personat e ndaluar nuk kishin përgjegjësi të njëjtë për këtë vepër penale e për këtë arsye dënimi i dhënë për ta ka qenë i ndryshëm. Duket se më të penalizuarit kanë qenë dy shoferët e boteve përkatësisht shtetasit Afrim Meca e Pellumb Mallollari, agjenti doganor, Klodian Çullaj dhe magazinieri, Laurent Bega. Të katër këta shtetas janë dënuar me burg pa afat, çka nënkuptonin qindrimin pas hekurave deri në momentin e nisjes së proçesit gjyqësor ndaj tyre. Ndërkohë të pandehurit e tjerë kanë marrë masa më të lehta përkatësisht: është dhënë masa e sigurisë “Arrest në burg me afat 30 ditë” për shtetasin Ylli Troplini, “Arrest në burg me afat 20 ditë” për  Selman Doçin si dhe 10 ditë burg për Artur Mustafajn, të tre me detyrë doganierë në portin “Romano Port”. Prokuroria paraqiti para gjykatës pronat që sipas organit të akuzës implikojnë të arrestuarit me kontrabandën e arit të zi.

Ndalimi i këtyre shtetasve u bë në vazhdën e operacionit policor “ Siguria”. Sipas  hetimeve të kryera nga struktura policore Kundër Krimit Financiar rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.11.2011, gjatë orëve të natës, kanë mundësuar kalimin kontrabandë nga porti Romano-Port  një sasie prej 41.500 litra karburant. Lënda djegëse është dërguar me dy mjete. 36.500 litra karburant, është transportuar me autobotin me targa SH 8895 D/ SH 9037 D, me destinacion Karburant “Elda” në Shkodër ndërsa  15.000 litra karburant janë transportuar nga autoboti me targa FR 0737 D, në një karburant në Fier. Arrestimi i të pandehurve u bë pasi ata kishin transportuar sasinë e parë të naftës dhe po ktheheshin në port për të bërë ngarkesën e dytë. Burime zyrtare policore bënë të ditur se i gjithë itinerari i personave të ndaluar u mbikqyr hap pas hapi nga agjentët e policisë dhe ndërhyrja e efektivave blu u krye pasi u siguruan provat materiale që implikonin këta shtetas me veprën penale të evazionit fiskal dhe kontrabandë. Ndërkohë nuk dihet ende nëse në pranga do të përfundojnë edhe persona të tjerë që kanë lidhje me këtë vepër penale. Aktualisht asnjë nga drejtuesit e kompanive që mund të kenë gisht në kontrabandën e naftës nuk janë ndaluar.   

Arrestimi

Shtatë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Durrësit, mes tyre tre doganierë nën akuzën e kontrabandës me mallrat që paguhet akciza. Arrestimi i shtetasve është bërë pas një hetimi të kryer nga sektori kundër krimit financiar, duke finalizuar me sukses operacionin policor “ Siguria”. Aksion i policisë për arrestimin e shtetasve të lartpërmendur është bërë në orët e para të mëngjesit të së dielës së kaluar, pra vetëm një ditë pasi kishin kaluar kontrabandë dy autobote të mbushur me karburant. Pasi kanë marrë një sinjal se në portin e Romano Port kanë kaluar kontrabandë dy autobote me karburant, oficerët e policisë të sektorit kundër krimit financiar të ndihmuar edhe nga kamerat e sigurisë së portit kanë kryer hetimin dhe kanë dalë në përfundimin se personat e lartpërmendur në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kaluar kontrabandë nga porti i Romanos-Port 41.500 litra karburant.