Një nga përfaqësuesit e PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Armand Teliti në një prononcim për gazetën Dyrrah ka akuzuar bashkinë e Durrësit në lidhje me kaosin urbanistik në qytetin bregdetar. Sipas Telitit, është e vërtetë që mungesa e një plani rregullues ka ndikuar në drejtim të situatës problematike aktuale urbanistike në Durrës, por mbi të gjitha këtë kaos urbanistik e ka sjellë babëzia e qeverisjes lokale për të gllabëruar çdo copë terreni, çdo cep pallati apo çdo shesh lagje, sado të vogël, për të ndërtuar më pas një pallat më të madh.

“Më shumë se mungesa e planit rregullues kjo situatë është produkt i papërgjegjshmërisë dhe i mungesës së respektit ndaj qytetarëve dhe interesit të tyre.” Duke vijuar më tej Teliti thotë se situata urbanistike e qytetit të Durrësit është simboli i një zhvillimi të rrëmujshëm dhe kaotik. “Është shumë e dukshme që në këtë zhvillim nuk ka qenë prioritet interesi i qytetit, nuk ka qenë prioritet cilësia e jetës së qytetarëve, nuk kanë qenë prioritet hapësirat e gjelbra, vendet e parkimit apo këndet e lodrave, nuk ka qenë prioritet e ardhmja e qytetit, por ka qenë prioritet e tashmja e mbushur me para dhe beton.” Sipas Armand Telitit, bashkia e Durrësit e ka dëmtuar rëndë urbanistikën e qytetit me investime të papërgjegjshme, ku mbi të gjitha janë vënë interesa të ngushta përfitimi dhe jo interesat e zhvillimit urbanistik të qytetit dhe qytetarëve durrsakë.

“Plani i ri urbanistik, shprehet Teliti, është një zhvillim pozitiv, falë dhe vizionit të qeverisë shqiptare për të mos lejuar zhvillime kaotike urbanistike dhe për të orientuar zhvillimin e qyteteve dhe mbarë vendit në vizione perëndimore urbanistike. Nëse Bashkia e Durrësit vazhdon të gllabërojë sheshet publike dhe lulishtet për interesa të ngushta, vizioni i shtetit shqiptar është për më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët, më shumë rregull dhe zhvillim harmonik, i cili ndikon cilësisht në jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.”