Drejtori i degës së Sigurimeve Shoqërore në Durrës, Federik Tufa konfirmon se ka përfunduar informatizimi i pensioneve të fshatit, ndërsa ka filluar procesi i informatizimit për pensionet e qytetit para vitit 1993. Pikërisht kjo është kategoria më e vështirë për arsye të dokumentacionit të mangët dhe jo gjithmonë të verifikueshëm. Mangësitë më të mëdha në borderotë e Bonifikimit në Shkozet, ish-ndërmarrjet bujqësore, qendrat arsimore dhe portit të Durrësit
Kuadri ligjor duhet që t´i përshtatet sistemit aktual të informatizuar për të pasur stabilitet. Drejtori i degës së Sigurimeve Shoqërore në Durrës, Federik Tufa, thotë se është pro një reforme në sistemin e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe veçanërisht në atë të pensioneve, për vetë faktin se me vënien në funksion të sistemit të informatizimit ka nevojë për mënyra më efikase në sistemin e vjeljes së kontributeve. Ai ka konfirmuar se dokumentacioni për informatizimin e pensioneve të fshatit në rajonin e Durrësit mund të konsiderohet një proces i përfunduar, ndërsa aktualisht po shkon drejt informatizimit dhe dokumentacioni për pensionet e qytetit. Aktualisht ka përfunduar informatizimi i regjistrave të vjetërsisë në punë i kooperativave bujqësore, ka përfunduar informatizimi i dosjeve të pensioneve të pleqërisë shtet-fshat si dhe regjistri i bazës së të dhënave për të vetëpunësuarit në bujqësi që nga viti 1993. Gjithashtu ka filluar informatizimi i regjistrave të vjetërsisë në punë për ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore para vitit 1993, si dhe informatizimi i regjistrave të vjetërsisë në punë për ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore para vitit 1993. Së shpejti pritet që të nisë informatizimi i dosjeve të pensionit të invaliditetit. Ndërkohë,vihen re probleme serioze përsa i përket dokumentacionit para vitit 1993, ku evidentohen veçanërisht mangësi të theksuara në borderotë e ish-ndërmarrjeve shtetërore. Një pjesë e regjistrave paraqiten me mangësi të natyrave nga më të ndryshmet .Në një pjesë të regjistrave është data e fillimit të punës dhe mungon data e përfundimit të saj. Po kështu ka probleme me borderotë e pagave, të cilat në përgjithësi janë të paplota. Një pjesë e ndërmarrjeve madje nuk kanë as regjistra themeltarë. Tufa evidenton dhe raste ekstreme në të cilat punonjës që kanë punuar 40 vjet në shtet nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni që t’ua vërtetojë një gjë të tillë. Në këto kushte, dosjet kanë kaluar në proces rishikimi dhe më pas në gjykatë. Ndër ish-ndërmarrjet shtetërore më problematike evidentohen ndërmarrja e Bonifikimit në Shkozet, ish-ndërmarrjet bujqësore, qendrat arsimore etj. Sipas Tufës, vonesa ka pasur për verifikimin e viteve të punës për personat që janë punësuar në portin e Durrësit. Në vitin 1997 një pjesë e konsiderueshme e arkivave të portit u dogjën nga trazirat e atij viti dhe në këtë mënyrë është e vështirë që të merret një vendim. Nga ana tjetër shumë persona që kanë mbushur moshën e daljes në pension vonohen nga degët e Sigurimeve Shoqërore nga rrethet prej të cilave vijnë, pasi këto degë vonojnë shpesh me disa muaj konfirmimet që kërkohen nga dega e Sigurimeve të Durrësit. Ky institucion është përballur në këto vitet edhe me një sërë dosjesh lidhur me detyrimin ligjor për të bërë verifikimet reale të përfituesve të pensioneve. Policia e shtetit, sektori i luftës kundër krimit ekonomik e financiarë ka dërguar në prokurori disa dosje, pasi nga kontrolli i disa dokumenteve të përfituesve të pensioneve është vërejtur se ka pasur falsifikime e fiktivitete në plotësimin e dosjeve.
STATISTIKAT
Kontribuuesit dhe përfituesit
Duke ju referuar statistikave për sektorin e kontributeve dhe pensioneve rezulton se plani i të ardhurave nga të vetëpunësuarit në bujqësi është realizuar në masën 126.760.000 lekë, ku në total si rajon për vitin 2011 kanë derdhur kontribute 5535 fermerë, nga të cilët 854 kontribuues të rinj. Plani i të ardhurave në sektorin e sigurimit vullnetar për vitin 2011 në të gjithë agjencitë e sigurimeve shoqërore u realizua në masën 28.602.000 lekë. Në sektorin e pensionistëve në total për vitin 2011 përfituan pensione 48.785 persona, ku për të tre kategoritë e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit, familjare përfituan pension 46.933 persona dhe 1852 pensione suplementare. Pensione pleqërie kanë përfituar 36.278 persona nga të cilët 26.688 kanë përfituar pensione qyteti dhe 9127 pensione fshati. Pensione invaliditeti kanë përfituar 5913 persona, nga të cilët 5278 pensione invaliditeti shteti dhe 635 pensione invaliditeti fshati.