E ka nisur si punonjëse e thjeshtë e makinave qepëse dhe sot administron një ndërmarrje me 130 të punësuar. Cila është INTIMODA, një ndërmarrje që bashkëpunon me firma nga më të njohurat në Itali. Produktet cilësore që çajnë në tregun e huaj. Cila është rruga drejt suksesit e një gruaje që ka përkrahjen e familjes së saj në çdo moment

Mund të na tregoni si arritët të jeni e pranishme në biznesin e fasonëve që është një ndër më të suksesshmit në qytetin tonë?

Nevoja për t’u përballur me ekonominë e tregut ishte shtysa. Një përpjekje, këmbëngulje dhe një sakrificë që daton që në vitin 1995. Kujtoj, se ka qenë Antonio Monticelli, i cili më dha besimin e nevojshëm për t’u bërë pjesë e kësaj industrie. Ishte ai që pa tek unë vlerat e një drejtoreshe prodhimi. Këtë eksperiencë e kam nisur që nga A-ja, d.m.th si një punonjëse e thjeshtë makinash qepëse, gjë që më dha njohjen dhe eksperiencën e nevojshme për të ngjitur shkallët e karrierës. Më pas kam punuar si kontrollore cilësie, pastaj përgjegjëse reparti, drejtoreshë prodhimi dhe sot administratore e përgjithshme e ndërmarrjes INTIMODA Shpk. Një ndërmarrje që punëson 130 gra e vajza.

Çfarë kujtoni nga koha kur nisët aktivitetin tuaj?

Aktivitetin e kam nisur në vitin 2001 me themelimin e INTIMODA Shpk. Ishte një sipërmarrje e madhe në atë kohë. Duhet të merrje parasysh të gjitha sfidat që të ofronte ekonomia e brishtë shqiptare. Mungesën e likuiditeteve, mungesën e energjisë elektrike, mungesën e shumë kushteve të tjera. Por shumë shpejt ne mundëm të përsosnim punën tonë dhe mund të them që ia kemi arritur qëllimit.

Kanë qenë të vështira fazat që keni kaluar për të arritur këtu ku jeni sot?

Fillim si gjithkund ishte tepër i vështirë. E panjohura ka të papriturat e veta. Mbaj mend, që në fillim punonim me orare të tejzgjatuara, për të krijuar besimin e klientëve në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kohë dhe cilësi. Ne ishim një ndërmarrje e vogël me 40 punonjëse dhe duhet të punonim me një vetëmohim të madh për t’ia arritur qëllimit. Por shpejt produktiviteti ynë u rrit së tepërmi si pasojë e drejtimit të kompanisë dhe punonjëseve, të cilat punonin me eficiensë dhe efektivitet. Dëshira dhe këmbëngulja jonë ishte maksimale ndaj jemi sot një nga ndërmarrjet më produktive të qytetit të Durrësit dhe punësojmë plot gra e vajza.

Cilat janë produktet më të suksesshme në fabrikën tuaj?

Aktiviteti ynë konsiston në prodhimin e konfeksioneve intimo (të brendshme) për burra, gra e fëmijë. Ne qepim për kompani e marka të njohura italiane që janë të njohura në të gjithë botën e metë cilat do të dëshironin të punonin shumë kompani. Dua të veçoj këtu kompaninë Gruppo GC me markën e tyre Intissimopiu e cila tregton mbathje e T-shirt për djem e vajza, veshje për bebe, të cilat përbëhen nga një material tepër cilësor. Tepër i rëndësishëm është dhe LIABEL SRL me markën e tyre LIABEL, të cilat punojnë me copë të mrekullueshme CE, me modele fine për djem e vajza. Gjithashtu bashkëpunojmë me kompaninë Intimo ARTU e cila ka një treg të gjerë në Italinë qendrore dhe ka një emër të mirë të markës së saj JADEA. Tjetër klient i rëndësishëm është ANDRA LINGERIE, një kompani lider në Italinë e jugut me produktet e saj të shumëllojshme për intimitetin e natës dhe të ditës. Nuk mund të harroj një klient tjetër tonin është Confezzioni ERMAN me markën e tyre ROSSOPORPORA, e cila ka pasur shitje mbresëlënëse në Italinë e veriut. Pra mund të them me krenari që të gjithë produktet që ne prodhojmë janë të një cilësie tepër të lartë dhe plotësojnë kërkesat e çdo moshe në Itali.

Në ç’raport mendoni se qëndron personi juaj me punëtoret?

Dua të shpreh këtu mirënjohjen time të thellë për të gjithë punonjësit në kompaninë time. Falë tyre, INTIMODA është sot një ndërmarrje e suksesshme. Pa to nuk do të ecja në biznesin tim. Nuk do të çaja në tregun e huaj. Nuk do të ekzistonte kjo familje e madhe. Kështu e quaj unë. Unë i konsideroj punonjësit e mi si bashkëpunëtorë për arritjen e misionit të kompanisë. Përpiqem t’i qëndroj pranë atyre edhe për probleme të tjera që mund të kenë. Pra jam herë shoqe, herë nënë, herë motër, herë mike.

Në rrugën tuaj si grua në biznes e keni ndjerë ndonjëherë veten ngushtë?

Të them të drejtën fakti që jam femër nuk më ka sjellë asnjë vështirësi (në kuptimin e femrës). Kjo ndoshta se kam pasur përherë mbështetjen e familjes e rrethit tim familjar. Ose dhe për faktin se kur i hyj një pune nuk frikësohem kollaj. Vështirësitë janë të pranishme gjithmonë në ambientet e çdo ndërmarrje sidomos kur nxjerrim modelet e reja ose në këto kohë krize likuiditetesh. Sepse vonesat të frenojnë. Këtu kërkohet më shumë vëmendje nga shteti.

Kush kanë qenë bashkëpunëtorët më të vlerësuar që ju kanë ndihmuar në rrugën e zgjedhjes?

Në radhë të parë, familja ime dhe në veçanti im shoq. Gjithashtu ortaku im në biznes, z. Antonio Monticelli, një partner i sinqertë, besnik që më ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme. Ai ka qenë profesori im dhe i stafit dhe e ka bërë këtë me durimin dhe dashamirësinë që e karakterizon. Profesionalizmin dhe përvojën e tij e përcolli pa kursim tek ne.

Si arrini të mbani në këtë konkurrencë dhe kohë krize harmoninë mes punonjësve, prodhimit dhe tregut?

Është një trinom triumfues. Është kushti kryesor që të kem mbarëvajtje në punën time. Unë punoj me vetëmohim për të arritur këtë që thoni ju. Pa mburrje do të thosha se kjo harmoni më ka bërë të rezistoj me dinjitet e të eci përpara. Pra e barabartë me partnerët, mirëkuptuese me vartësit dhe kërkuese për cilësinë. Jam e qartë besoj.

Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një biznes në këtë kohe?

Është një sipërmarrje e vështirë sinqerisht. Krizën e kanë ndjerë shumë sektorë. Alarmin e kambanës së krizës e kapëm shumë shpejt. Tërë administrata, stafi vartës, partnerët, përcaktuam strategjinë e punës e bëmë të qarta objektivat. Mobilizimi i të gjithëve së bashku, por veçanërisht disiplina në punë dhe cilësia, them se na bënë t’ia dalim mbanë deri tani. Më besoni, jam biznesmene, por mendoj si çdo grua, nënë, bashkëshorte për familjet e tyre që e kanë lidhur jetën me profesionin që ushtrojnë në biznesin e fasonit. Zoti na sheh nga lart.

Keni ndonjë projekt në të ardhmen për zgjerimin e biznesit tuaj?

Sigurisht. Pa projekte nuk ke si ta kesh të qartë të ardhmen. Aq më tepër tani që eksperienca është e madhe si e imja, e stafit, por dhe e punëtoreve që janë bërë specialiste në proceset që kryen secila. Siç mund ta shihni unë jam në rrugën e zgjerimit të biznesit tim. E kam nisur atë me 40 punonjës në një kapanon të vogël dhe kam sot 130 punonjës me një kapanon rreth 1500 m2. Ndoshta nesër mund te shkoj në 260 punonjës. Kjo do të sjellë punësimin e shumë grave e vajzave duke përmirësuar situatën ekonomike të familjeve të tyre e duke lehtësuar dhe problemet sociale. Ashtu si shteti duhet të bëjë më shumë për njerëzit e tij ashtu duhet të përpiqet sa më shumë për punësim edhe biznesi.

Cila është motoja që ju udhëheq në jetë?

Mos hiq dorë kurrë! Themeli i suksesit qëndron këtu. Rruga e jetës është e gjatë. Ajo s'është e shtruar gjithmonë me trëndafila. Ka shkurre, ferra, gjemba që të lëndojnë… Ndaj me durim, punë e këmbëngulje kapërcehen.