Një ngjarje e dyshuar fillimisht si vdekje natyrale në Durrës ka marrë një tjetër rrjedhë pas hetimeve të policisë, duke zbuluar se bëhet fjalë për një rast të dyshuar “vrasje nga pakujdesia”.

Sipas hetimeve, më 13 prill në lagjen nr. 18, një konflikt për motive të dobëta mes dy shtetasve ka përfunduar tragjikisht. 42-vjeçari G. K. dyshohet se ka goditur me grushte 59-vjeçarin S. M., i cili ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Fillimisht u mendua se viktima kishte humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak, por veprimet hetimore zbuluan shkakun e vërtetë të ngjarjes.

Në vijim, policia ka ndaluar 42-vjeçarin për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi i plotë:

DVP Durrës

U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, pas kryerjes së veprimeve hetimore, Policia zbardh ngjarjen.

Vihet në pranga një 42-vjeçar, i dyshuar si autor për vrasje nga pakujdesia.

42-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte 59-vjeçarin, i cili ka humbur ndjenjat duke rënë në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Në vijim të veprimeve, shtetasi G.K., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, u ndalua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.