Edlir Tetova e mbyll me Egnatian pas këtij edicioni, ndërsa është raportuar se pritet zyrtarizimi tek Teuta në sezonin e ardhshëm. Teuta ka reaguar së fundmi duke hedhur poshtë këto zëra, pasi aktualisht ka në krye Enkelejd Dobin.
Njoftimi i Teutës:
KF Teuta kërkon të sqarojë tifozët dhe opinionin publik se trajneri Enkeleid Dobi është nën kontratë me klubin dhe palët do të respektojnë marrëveshjen e firmosur në fillim të sezonit.
Dënojmë me forcë zërat se klubi ka rënë dakord me një trajner tjetër dhe hedhim poshtë këto spekulime të shëmtuara të publikuara në disa media.
Këto shkrime dashakeqe synojnë të minojnë seriozitetin e klubit dhe të shpërqendrojnë ekipin nga objektivat sezonalë.
KF Teuta garanton tifozët se projekti ynë është ambicioz dhe nuk do të lejojmë askënd të përbaltë punën tonë.
Është e papranueshme që disa media të spekulojnë për ndryshimin e trajnerit pa marrë asnjë informacion nga zyrtarët e klubit.
KF Teuta është e hapur për çdo lloj pyetjeje nga gazetarët, por ata që publikojnë lajme të rreme për interesa të caktuara duhet të mbajnë përgjegjësi.
Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik janë të fokusuar maksimalisht vetëm te fusha e blertë, me synimin për ta mbyllur me sukses kampionatin dhe për të ruajtur stabilitetin e projektit.
Ndeshja e radhës ndaj Elbasanit është një sfidë vendimtare, dhe e gjithë vëmendja është përqendruar te kundërshtari dhe përgatitja e ekipit. Ftojmë tifozët të na mbështesin në këtë moment të rëndësishëm të sezonit.






