Në konferencën rajonale të arsimit në Durrës, ministër i Ministrisë së Arsimit dhe shkencës Z. Myqerem Tafaj, shpalli 100 vjetorin e pavarësisë, si një ndër prioritete e shkollës për këtë vit mësimor. Në këtë kuadër të gjitha shkollat kanë hartuar planin e veprimtarive, dhe po përpiqen t’i realizojnë sa më cilësisht, për të ngjallur te nxënësit dashuri për atdheun dhe nderimin e vlerësim për figurat e ndritura të kombit, të cilët shkrinë jetë e pasuri, për Shqipëri.

Me z. Mehmet Berisha,drejtor i shkollës 9-vjeçare “Vëllezërit Haradinaj” në Rrashbull, në bisedë për planin e veprimtarive gjatë këtij viti, mësojmë: “Jemi munduar të fusim në plan ngjarjet më të shënuara të historisë së kombit, që kulmojnë me 28 Nëntorin, si dita më e shenjtë për ne shqiptarët e për të kaluar te festa e shkollës sonë, e cila para gjashtë vjetësh, në 10 Qershor, pikërisht në ditën e “Lidhjes Shqiptare të Prizërenit”, morri emrin “Vëllezërit Haradinaj”, heronjve të luftës për çlirimin e Kosovës. Ndaj ne si shkollë kemi dy data të shënuara 17 shkurt, pavarësia e Kosovës dhe 10 Qershori dita e emrit të shkollës, festa që lidhen natyrshëm mes tyre.

Në fakt të gjitha datat dhe ngjarjet, përkujtohen ku më shumë e ku më pak, çdo vit në të gjitha shkollat. Por ka ngjarje që kanë një peshë më të madhe, sidomos kur kanë të bëjnë me emrat e shkollave dhe përvjetorët të krijimit të tyre. Mund të përmendim, gjimnazin “Gjergj Kastrioti”,  “Naim Frashëri”, “Leonik Tomeo”, shkolla e mesme e muzikës “Jan Kukuzeli” dhe vazhdojmë më tej me shkollat 9-vjeçare “Nën Tereza”, “Bajram Curri”. “Vinçenc Prendushi”, dhe “Lidhja e Prizërenit” Shijak, etj., pa i përmendur të gjitha pasi janë shumë, sepse këtu mund të renditen edhe kopshtet e fëmijëve si institucione edukimi dhe mësimi. Disa të tjera lidhen me hershmërinë e krijimit të tyre, si shkolla e Ishmit e para në rrethin e Durrësit, që këtë vit feston 99 vjetorin e saj, pasi u hap fill mbas pak muajsh të shpalljes së pavarësisë, më 1913. Kështu edhe shkolla e fshatit ShënVlash, mbush në prillin të këtij viti 96 vjetorin e saj. Këto shembuj na tregojnë se, krahas datave të rëndësishme kombëtare, plani i çdo shkolle ka festa të veçanta, që kulmojnë dhe që përfshihen në veprimtarinë vjetore, si pjesë e historisë së madhe të shqiptarëve.