Nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Adrian Çeka ka komentuar miratimin që ju bë Paketës Fiskale, duke deklaruar se institucioni që ai përfaqëson u paragjykua politikisht në miratimin e kësaj pakete. Gjithsesi Çela ka deklaruar se pavarësisht kufizimit të të ardhurave nga bllokimet politike dhe pasojat që jep ligji për menaxhimin e territorit, bashkia është e vendosur që të vazhdojë investimet dhe realizojë premtimet para qytetarëve.

Si e vlerësoni miratimin e paketës fiskale nga ana e Këshillit Bashkiak?

Më së fundi Këshilli Bashkiak miratoi paketën fiskale e për vitin 2012, që do të thotë se që nga ky moment administrata e Bashkisë duhet të nisë nga puna për të përgatitur projekt-buxhetin për vitin 2012. Sigurisht që pa aprovimin e paketës fiskale nuk mund të përgatitet buxheti, sepse paketa përcakton nivelin e taksave dhe tarifave që do të aplikohen nga Bashkia për bizneset dhe për familjet. Në bazë të këtyre taksave dhe tarifave parashikohen të ardhurat e Bashkisë dhe më tej bëhet dhe shpërndarja e tyre në shpenzime dhe investime. Nuk mund të le pa përmendur një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë me vonesën e diskutimit dhe miratimit të kësaj pakete fiskale nga ana e Këshillit Bashkiak. Ne kemi sot paketën fiskale, në një kohë që duhet të diskutonim projekt-buxhetin këto ditë. Problemi është që, megjithëse nga e administratës së Bashkisë u dorëzua materiali që në fillim të muajit dhjetor 2011 dhe në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit u vendos që më dt 20.12.2012 në orën 17.00 të mbahej mbledhja e Këshillit Bashkiak për të diskutuar paketën fiskale, kjo mbledhje nuk u mbajt dhe as nuk u tha asnjëherë asnjë shpjegim nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës në Këshillin Bashkiak për këtë sabotim. Sot mund të themi që ne jemi shumë të vonuar në punën për përgatitjen e buxhetit të vitit 2012.

A mund të vlerësohet kjo paketë fiskale si më e mira e mundshme?

Duhet të sqaroj që paketa fiskale e miratuar nga mazhoranca në Këshillin Bashkiak është pothuaj e njëjta paketë e vitit të shkuar dhe e njëjta e gjithë këtyre viteve, përjashto ndryshimet ligjore që janë bërë nga qeveria (dhe këto në rastet më të shumta jo në të mirë të pushtetit vendor), pra kemi të bëjmë më të njëjtin nivel dhe strukturë taksash dhe tarifash në qytetin e Durrësit prej një periudhe kohore mbi 5-vjeçare, pa ndryshuar asgjë. Këtu qëndron dhe absurditeti, sepse në një kohë kur sistemi i taksave dhe kostot në vend kanë ndryshuar, vetëm Bashkisë së Durrësit i ndërpritet rruga nga përfaqësuesit e mazhorancës në Këshillin Bashkiak për ta përmirësuar këtë paketë fiskale. Personalisht jam i bindur që jo vetëm që kjo paketë fiskale nuk është më e mira, por kjo paketë është regresive për zhvillimin e qytetit të Durrësit, dhe kjo falë përfaqësuesve të PD-së në Këshillin Bashkiak. Kjo paketë garanton më pak të ardhura në buxhetin e Bashkisë së Durrësit, që përkthehet në më pak shërbime dhe në më pak investime për qytetarët dhe komunitetin.

Cilat ishin propozimet konkrete nga ana e administratës së Bashkisë së Durrësit për paketën fiskale?

Propozimet që u bënë nga ana e Bashkisë së Durrësit ishin kryesisht ato që janë bërë dhe herë tjetër këto 2-3 vitet e fundit. U propozua që të rritet niveli i disa tarifave dhe kryesisht ato të gjelbërimit, pastrimit dhe të ndriçimit, si për nivelin e familjarëve ashtu dhe për bizneset. Është absurde të mendosh sot që me nivelin e tarifave që aplikohen sot në Bashkinë e Durrësit të ruash apo të mos përmirësosh nivelin e këtyre tarifave. Një familje në qytetin e Durrësit paguan për këto tarifa të marra së bashku (përjashtuar taksën e pasurisë, niveli i së cilës është përcaktuar më ligj nga Parlamenti) 1.400 lekë në vit, në një kohë që vetëm taksa vjetore e Televizionit Shqiptar që paguan çdo familje është po 1.400 lekë, për mos bërë krahasimin më dy qytete të tjera si Tirana apo Shkodra ku kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë i përkasin përfaqësuesve të PD, në të cilat niveli i këtyre tarifave është disa herë më i madh. Në Tiranë p.sh. tarifa e pastrimit në bashki është 5.000 lekë ndërsa në Shkodër një familje paguan 4.200 lekë në vit për këto tarifa. E mora këtë shembull për të treguar që këta zotërinj përfaqësues të mazhorancës në Këshillin Bashkiak që i përkasin të njëjtës forcë politikë që drejton dhe këto dy qytete të tjera, nuk mund të na thonë që janë për taksa dhe tarifa të ulëta, pasi shembujt janë, por problemi qëndron së ata duan vetëm të pengojnë dhe të bllokojnë punën e Bashkisë së Durrësit dhe kryetarit të saj. Pavarësisht nga këto pengesa të pastra politike dhe destruktive, ne do t’i realizojmë të gjitha projektet që kemi marrë përsipër. Për t’u kthyer dhe një herë tek propozimet tona që janë kryesisht të lidhura me ndryshimin e nivelit të këtyre tarifave. Ne i propozojmë këto ndryshime jo se kjo është një dëshirë e jona për të pasur sa më shumë të ardhura në buxhetin e Bashkisë, por se kemi bërë studime për kostot e këtyre shërbimeve (këto studime i kemi bërë në bashkëpunim më IFC dhe Bankën Botërore) dhe ka rezultuar që niveli i këtyre tarifave që ne aplikojmë sot në qytetin tonë është shumë herë më i vogël se ai që duhet aplikuar në realitet, duke e krahasuar me koston dhe cilësinë e shërbimit që ofrohet. Koncepti i tarifës në vetvete nënkupton që për atë shërbim që ofrohet duhet paguar kostoja e atij shërbimi. Për këtë arsye themi që kostot e shërbimeve të pastrimit, gjelbërimit apo dhe ndriçimit kanë ndryshuar gjatë këtyre viteve, sepse janë rritur shpenzimet, çmimi i karburantit, rrogat, çmimi i energjisë. Po kështu janë rritur gjithashtu dhe sipërfaqet e gjelbra, sipërfaqet që pastrohen janë më shumë si dhe është rritur fuqia instaluese e ndriçuesve në qytet. E ritheksojmë dhe një herë që propozimet e Bashkisë për rritjen e këtyre tarifave nuk arrinin asnjëherë vlerat e tarifave që aplikohen në qytetin e Tiranës apo të Shkodrës. Gjithkush e di se jeta në qytetin e Shkodrës nuk mund të jetë kurrë më e kushtueshme se në Durrës, sepse dhe çmimet në Durrës janë më të larta. Për sa i takon këtij opinioni vazhdoj të jem i këtij mendimi dhe tani më shumë se kurrë. Në mbledhjen e fundit këshilltarët e djathtë jo vetëm që nuk miratuan asnjë nga propozimet tona në lidhje me paketën fiskale, por edhe për vendime të tjera ata nuk dhanë asnjë aprovim. Përmend këtu rastin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale e cila është e mbingarkuar me funksione që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën si p.sh. pastrimi, gjelbërimi, shërbimi funeral, ndriçimi dhe dekori. Ndarja që propozuam ne nuk kishte as efekt financiar dhe as efekt në strukturë, por qëllimi ishte që të rritej performanca e këtyre shërbimeve, duke krijuar ndërmarrje më të vogla me përgjegjësi më të përcaktuara dhe direkte. Tjetër vendim që u hoq fare nga mbledhja e Këshillit Bashkiak për t’u shqyrtuar ishte dhe vendimi për Këshillin Kulturor, që jo vetëm nuk aprovohet, por as që nuk merret në shqyrtim. Po të vazhdojë lista e bllokimeve dhe sabotimeve që i bëhet administratës nga mazhoranca e këtij Këshilli, ajo bëhet shumë e gjatë.

 

Jam i bindur që jo vetëm që kjo paketë fiskale nuk është më e mira, por kjo paketë është regresive për zhvillimin e qytetit të Durrësit, dhe kjo falë përfaqësuesve të PD-së në Këshillin Bashkiak. Kjo paketë garanton më pak të ardhura në buxhetin e Bashkisë së Durrësit, që përkthehet në më pak shërbime dhe në më pak investime për qytetarët dhe komunitetin

Si e vlerësoni atmosferën politike përpara miratimit të buxhetit?

Brenda 2-3 javësh duhet të jetë gati projekt-buxheti i vitit 2012. Dua të theksoj që nga ana jonë i është bërë ftesë Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesve të partive në këtë këshill, që të bëhen pjesë në hartimin e këtij buxheti, në mënyrë që të kemi një buxhet sa më realist dhe sa më gjithëpërfshirës. Le të shpresojmë që kësaj ftese do t’i përgjigjën pozitivisht.

Si e shikoni perspektivën dhe mundësinë e të ardhurave që do të mbledhë Bashkia e Durrësit?

Duke pasur parasysh vitin e vështirë që na pret si dhe këtë paketë fiskale që sapo u aprovua, mund të them që me të vërtetë nuk jemi shumë optimistë për të ardhurat që do të kemi gjatë 2012 dhe që realisht nuk do të jenë të mjaftueshme për të realizuar ato projekte që në kemi parashikuar. Nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që të jemi pesimistë, pasi bashkia është e bindur që do të jemi të aftë për të gjetur dhe alternativa të tjera, për të realizuar premtimet e dhëna para 8 majit.

Cilat sipas jush janë efektet që sjell ligji i ri i Urbanistikës në të ardhurat e Bashkisë së Durrësit?

Ligji i ri i Urbanistikës ndikon dhe i pret në mënyrë të konsiderueshme të ardhurat e pushtetit lokal dhe rrjedhimisht dhe Bashkisë së Durrësit. Problemi qëndron që më këtë ligj qeveria duhet të kishte menduar që një e ardhur që mbyllet duhet të kompensohet me të ardhura alternative. Vazhdimi i projekteve që kemi nisur në 2011 si dhe investimet në pjesën historike të qytetit dhe në zonat periferike, përfundimi i një shkollë të mesme në zonën e ish-kënetës, vazhdimi i punës për shëtitoren bregdetare janë disa nga treguesit që dëshmojnë se Bashkia është e vendosur të mbajë premtimet ndaj qytetarëve, pavarësisht nga shkopinjtë në rrota që vendos qeveria.