Pasi kanë luajtur për 15 vite me ekipin e Teutës, dy futbollistët Keli Xhai dhe Gentian Begeja kanë marrë përsipër të stërvisin ekipin e të rinjve të qytetit bregdetar. Të dy së bashku stërvisin çdo ditë më shumë se 2 orë ekipin e të rinjve. Skuadra përbëhet nga një grup prej 27 lojtarësh të moshave nga 17-18 vjeç. Në kampionatin e kësaj moshe ku marrin pjesë 16 skuadra nga e gjithë Shqipëria, nën drejtimin e dyshes Begeja-Xhai ekipi i të rinjve të Teutës kryeson. Kur janë zhvilluar nëntë javët e para, djemtë e detit janë pozicionuar në krye falë lojës kolektive dhe të bukur që bëjnë. Sipas trajnerëve në gjirin e ekipit janë disa lojtarë me një talent të madh, të cilët premtojnë për të ardhmen; dy prej tyre janë pjesë e ekipit kombëtar të 18-vjeçarëve. Drejtuesit e tyre japin sinjalin se në ekip gjenden disa talente, që së shpejti do t'i bashkohen ekipit të të rriturve si dhe do t'i shërbejnë futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Sipas tyre në gjurmët e të rinjve durrsakë kanë rënë prej disa kohësh disa menaxherë të huaj, të cilët janë të interesuar për t'i vënë nën urdhrat e trajnerëve të tyre. Trajnerët Begeja dhe Xhai janë shprehur se interesimi i menaxherëve të huaj është një plus i madh për çdo futbollist. Prej disa vitesh ekipi i parë i Teutës është furnizuar nga ekipet e saj zinxhirë, ndaj dhe lojtarët kanë mjaft shpresa për të kaluar në ekipin e parë. Vetëm gjatë këtij sezoni të ri futbollistik në ekipin e parë janë afruar disa lojtarë, të cilët shihen si e ardhmja e ekipit Teuta, por sipas Xhait edhe këtë vit mendohet se një pjesë e mirë e futbollistëve të rinj do t'i bashkohen ekipit të parë.
Sipas trajnerit të të rinjve, 5-6 lojtarë të tjerë do t’i shtohen ekipit të të rriturve sezonin e ardhshëm
Keli, ju prej dy vitesh stërvisni ose më saktë përgatisni lojtarë të rinj për ekipin e parë, sa e vështirë është të punosh me ta?
Vitin e parë që mora ekipin e të rinjve ishte shumë e vështirë, por këtë vit unë e drejtoj ekipin bashkë me Gentin dhe duke punuar të dy e kemi pak më të lehtë. Pse ishte e vështirë? Them ishte e vështirë se në ekip ka më shumë se 22 lojtarë dhe duhet punuar me të gjithë, jo vetëm përsa i përket fushës së lojës, por me ta duhet të punosh shumë edhe me gjendjen psikologjike të tyre. Pasi kjo është pjesa më e vështirë. Këtë vit në ekip kemi 27 djem që stërviten dhe secili prej tyre ka karakter të ndryshëm. Duhet patur shumë kujdes me secilin prej tyre pasi edhe mosha në të cilën ndodhen është shumë delikate. Kemi krijuar kontakte edhe me shkollat në të cilat ata shkollohen, në mënyrë që t'i kemi në monitorim. Kjo është një moshë që nuk mendon apo nuk i llogarit gjërat dhe kjo gjë mund ta dëmtojë shumë ekipin. Në skuadër nuk duhet të ketë asnjëherë mosmarrëveshje, pasi është në dëm të ekipit. Prandaj duhet punuar shumë me ta. Këtë vit gjërat janë më ndryshe. Me ardhjen e Gentit ka ndryshuar gjithçka për mirë. Genti vjen pas një eksperience disa vjeçare që pati në kategorinë superiore ku kishte rolin e ndihmës trajnerit të ekipit të parë të Teutës. Ai ka sjellë një frymë të re në kampin tonë dhe uroj që të zgjasi sa më shumë. Atmosfera e krijuar në ekip është shumë pozitive dhe kjo tregohet edhe me rezultatet që kemi marrë në këtë kampionat.
Prej disa kohësh nuk ka më klasa sportive, a mendoni se tani është më e vështirë për të gjetur talente?
Unë do të thoja se nuk ndikon shumë. Atëherë kishte klasa sportive në çdo shkollë, por po të shikosh me kujdes nuk është se kanë dalë shumë lojtarë nga klasat sportive. Pothuajse 60% e ekipit të parë furnizohet nga ekipi zinxhir, pra nga të rinjtë e Teutës. Është bërë traditë që prej vitesh. Teuta nuk bën merkato të fuqishme, ajo bazohet tek lojtarët e saj të rinj. Një vit më parë ekipi i Teutës ishte i vetmi ekip në kampionatin shqiptar të futbollit, që kishte një mesatare moshe prej 21 vjetësh. Siç u pa, që vitin e parë ata ishin mjaft të rëndësishëm për ekipin, madje specialistët thanë se Teuta kishte bërë një skuadër shumë të fortë me emra të rinj. Ndërsa frytet e tyre Teuta po i merr këtë sezon. Këtë sezon disa nga lojtarët që dy vite më parë ishin lojtarë të ekipit zinxhir janë bërë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në skuadrën e Hasan Likës. Doja të thoja se Teuta gjithmonë ka pasur ekip zinxhir nga ku kanë dalë dhjetëra lojtarë të talentuar, të cilët luajnë edhe nëpër skuadra të tjera të kampionatit tonë. Ndaj sezonin e ardhshëm besoj se 6-7 djem nga këta, do të kenë shansin të luajtur me ekipin e parë.
Duke qenë se jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendin mungojnë terrenet sportive, a mendoni se edhe talentet janë më të pakët?
Kjo është shumë e vërtetë. Në vendin tonë nuk ka mjaftueshëm terrene sportive dhe kjo duam apo nuk duam ne ndikon negativisht. Unë jam i mendimit se duhet të shtohen sa më shumë të jetë e mundur këto ambiente sportive. Mbaj mend që në kohën tonë ka pasur shumë terrene sportive paçka se kushtet nuk ishin optimale për të zhvilluar stërvitje, por të paktën ishin. Tani ambjentet sportive sa vijnë edhe pakësohen, por kjo do të ndikojë në ecurinë e futbollit. Për sa i përket mungesës së talenteve, unë do të thoja se talentet nuk mungojnë. Shqipëria ka shumë lojtarë të cilët kanë një talent të jashtëzakonshëm, por që këta djem të talentuar të ecin përpara, duhet punuar më shumë me ta.
Sa prej këtyre lojtarëve që ju stërvitni kanë shpresa për të vazhduar të luajnë futboll në ekipet e të rriturve?
Në ekipin e të rinjve ne kemi rreth 27 lojtarë, të cilët janë të moshës nga 17 deri më 18 vjeç. Unë së bashku me Gentin mundohemi që t'i formojmë ata si lojtarë. Me çfarë shikoj pothuajse të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur nëpër ekipet e kategorisë superiore apo edhe të kategorisë së parë. Por që të jesh një lojtar që luan në futbollin profesionist nuk mjafton vetëm talenti, por një rol të rëndësishëm luan edhe fati i çdokujt. Unë e shikoj se shumë prej këtyre lojtarëve do të kenë të ardhme. Në ekip kemi disa lojtarë që janë të talentuar, madje disa prej tyre janë grumbulluar edhe nga ekipi kombëtar i moshës 18-vjeçare. Siç e thashë edhe më lart disa lojtarë nga të rinjtë, sezonin e ardhshëm do të jenë në radhët e ekipit të parë, por edhe disa të tjerë do të kenë fatin të luajnë nëpër skuadra të tjera, pasi me të vërtetë që janë shumë të talentuar. Gjatë ditëve të stërvitjes vijnë me dhjetëra menaxherë vendas dhe të huaj, të cilët ndjekin nga afër djemtë. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë këta lojtarë, pasi mund të lidhin kontrata me skuadra të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ju thatë se vijnë shpesh menaxher klubesh vendas dhe të huaj, mund të na tregoni se për kë nga djemtë janë të interesuar ata?
Siç e thashë edhe më parë ekipi i të rinjve të Teutës ka disa elemente që premtojnë në të ardhmen. Menaxherët janë të interesuar për disa lojtarë, por unë nuk mund t’i përmend me emra për shkak se nëse do ta dëgjonin djemtë, do të ndikonte për keq në grup. Sapo të vendosen kontaktet me menaxherët atëherë do të zbulojmë se për kë lojtar bëhet fjalë. Prandaj thashë që është e vështirë që të punosh me të rinjtë. Me ta duhet të punosh me anën psikologjike po aq sa me anën teknike. Ata janë në një moshë tepër delikate dhe jam i sigurt se nëse ndonjëri prej tyre nuk do ta dëgjonte emrin e tij nuk do t'i vinte mirë. Prandaj jam i rezervuar për të përmendur emra. Nga ana tjetër jam shumë i lumtur që ata janë të interesuar për lojtarët e mi.
Në kohën që keni luajtur ju dhe Genti ishte shumë e vështirë, të gjeje një fushë me kushte të mira për të bërë stërvitje, po tani si janë kushtet që stërviten këta djem të rinj?
Siç e shikoni edhe vetë, kushtet ku stërviten këta djem janë shumë të mira. Ne stërvitjet i zhvillojmë në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” dhe kushtet janë optimale për të zhvilluar një seancë stërvitore. Aneksi është rikostruktuar disa muaj më parë dhe kushtet janë mjaft të mira duke filluar që nga tapeti dhe deri tek dritat. E vetmja vështirësi që hasim është që duhet të gjejmë një orë për të bërë stërvitje. Në aneksin e stadiumit zhvillojnë stërvitjen disa ekipe që nga ekipi i parë e deri tek ekipet e moshave. Për shkak të temperaturave të larta gjatë verës, seancat stërvitore i kemi zhvilluar në orët e mbrëmjes nën ndriçimin e prozhektorëve. Lojtarët e rinj nuk kanë shkelur ndonjëherë në baltë, ashtu si kemi vuajtur ne për vite të tëra. Në kohën tonë uniformat nuk arrije t'i dalloje se çfarë ngjyre kishin, pasi bëheshin gjithë baltë e qymyr. Për ne ishte ditë feste kur lejoheshim të bënim stërvitje në stadium dhe pse aty nuk është se ishin kushte të mira. Në kohën tonë kishte probleme edhe fusha e stadiumit, i gjithë tapeti ishte gropa-gropa dhe të krijonte shumë vështirësi në kontrollin e topit. Ndërsa sot këta të rinj infrastrukturën e kanë në rregull dhe ju duhet të kenë pak vullnet për t’ia dalë mbanë. Pra në krahasim me disa vite më parë kushtet janë më të mira, kjo falë investimeve të bëra në terrenet sportive. Ka shumë për të bërë përsa i përket infrastrukturës, por janë gjëra të vogla, që me kalimin e kohës shpresojmë të realizohen.
Ekipi i të rinjve të "Teutës" dhe ekipi i të rriturve kryesojnë kampionatet respektive, mos ndoshta ky sezon është i djemve të detit?
Është e vërtetë që Teuta si me të rriturit edhe me ekipin e të rinjve është në krye të kampionatit dhe shpresojmë që kjo do të zgjasë sa më shumë. Ekipit të të rriturve i duhet që të shtrëngohet sa më shumë dhe çdo lojtar duhet të japë maksimumin për të fituar titullin, aq shumë të munguar. Unë mendoj se Teuta është në rrugën e duhur për të fituar titullin kampion. Por doja të saktësoja se kampionati është shumë i gjatë dhe ekipi duhet të përforcohet me elemente të rinj gjatë merkatos së Janarit. Jo se deri tani kanë hasur probleme në ndonjë repart, por siç e thashë edhe më lart kampionati është tepër i gjatë dhe trajneri nuk do t’i ketë në dispozicion lojtarët në çdo ndeshje. Dëmtimet apo edhe dënimet mund të ndikojnë negativisht, pasi Teuta nuk ka në çdo pozicion lojtarë rezervë. Ndërsa për sa i përket ekipit, që unë stërvis edhe pse tingëllon çuditshëm, pavarësisht se aktualisht jemi në krye të kampionatit do të thoja se nuk është shumë e rëndësishme fitimi i kampionatit. Unë si trajner për djemtë e rinj, nuk do të kërkoja që të fitoja kampionatin, por për mua më e rëndësishme është që të nxjerrim sa më shumë talente, në mënyrë që t'i shërbejnë ekipit të parë, por edhe futbollit shqiptar. Disa djem të rinj janë shumë të talentuar dhe po punojmë shumë që të rrisin nivelin e lojës si dhe të rriten vetë si sportistë. Që të bëhesh një lojtar profesionist duhet shumë punë dhe prandaj këta të rinj duhet të çajnë përpara me ndihmën tonë dhe me vullnetin e tyre.