Prokuroria e Tiranës ka kërkuar kontroll për shtëpinë e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, kërkesë që u pranua nga Gjykata e krimeve të rënda pas hetimeve për një rast korrupsioni. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, mësohet se Mirit i janë gjendur një sasi prej 30 milionë lekësh (të rinj) në shtëpi.
Shkëlqim Miri ish-anëtar i KLD-së, prej vitit 2010 është gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, që kur u transferua nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur ndaj Mirit një hetim prej gati një viti.
Miri është përfshirë në ndryshimin e një akuze nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Në këtë proces ka qenë i pandehur shtetasi Gentian Doda, nga Burreli i ekstraduar pak kohë më parë nga Amerika. I dënuari Gentian Doda akuzohet për një vrasje të dyfishtë në Burrel, në vitin 1997, atë të Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës. Autori dhe Dedja kanë qenë pjesë e grupeve rivale në Burrel dhe kanë pasur konflikte të vijuara ndërsa Gjoka u vra aksidentalisht.
Çështja e tij u shqyrtua edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi që gjykimi ndaj tij të zhvillohej sërish në gjykatën e shkallës së parë të Matit. Në përfundim të hetimit, Prokuroria e Matit kërkoi dënimin e tij me 20 vjet burg me akuzën e “vrasjes me paramendim”, për autorin Gentian Doda, i ekstraduar nga SHBA në 2012-n.
Prokuroria e përgjithshme sot do të njoftojë KLD-në për të proceduar më tej ndaj gjyqtarit Shkëlqim Miri.





