Këshilli Bashkiak në unanimitet miratoi fondin prej rreth 2 milionë lekësh, pagesë shtesë për arkeologët që mbikëqyrën punimet për projektin “Veliera”, punime këto që qëndrojnë të bllokuara prej muajit mars të këtij viti. Projektvendimi që u paraqit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, “Për miratimin e fondit prej 197.280 lekësh për likuidimin e pagesës së tarifës së mbikëqyrjes për Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik për objektin “Rivitalizimi i sheshit publik para hyrjes së Portit Durrës”solli edhe reagimin e kreut të bashkisë Vangjush Dako.

Armand Teliti i PD-së tha se fondin do e miratojnë duke kërkuar nga kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako edhe përgjigje se çfarë do të bëhet me fatin e sheshit.

“E kemi paraqitur projektin e ndryshuar të sheshit që i hap rrugë punimeve të tij, por ka mbetur i bllokuar nga gjykata e cila ka dhënë masë sigurie në gjykatë pezullimin e tij, ndërsa prokuroria e ka ende në hetim. Çështja nuk është gjykuar në themel e për aq kohë sa është në gjykatë nuk dihet se çfarë do të bëhet me “Velierën””, tha Dako.

Dako tha se projekti u bllokua nga PD e cila dërgoi atje Sazan Gurin të protestonte.

Më 29 shtator Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën e bashkisë për të rinisur punimet në sheshin ku po ndërtohet “Veliera”, investim i cili ka mbetur peng prej 16 shkurtit të këtij viti.

Bashkia nëpërmjet një shkrese zyrtare kërkoi pezullimin e vendimit të muajit shkurt dhe heqjen e sekuestros preventive nga zona A.

Bashkia kishte paraqitur një projekt të ri në gjykatë, por projektin e ri nuk e mbrojti dot asnjë prej treshes që përfaqësinte bashkinë .  Gjykatësi Petraq Curri pasi dëgjoi palët, tha se kërkesa nuk pranohet, për aq kohë sa ai nuk është i bindur, se nuk ka dëme në pasurinë arkeologjike të zbuluar. 

Gjykatësi debatoi me prokuroren, të cilës i kërkoi që të paraqiste procesverbalet e shkallës së dëmtimeve të zbulimeve arkeologjike. Prokuroria solli një pjesë të tyre por nuk e bindën gjykatësin, i cili tha se çështja është e ndjeshme me karakter mbrojtjen e trashëgimisë dhe  historisë dhe nuk pranoi kërkesën e bashkisë për vijimin e punimeve. Gjykatësi i kërkoi prokuroisë që të sjellë fakte madje edhe njerëz në gjykatë nëse ka abuzim me pasurinë arkeologjike për t’u përballur me ligjin. 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se një pjesë e këmbës se “Velierës” bie në zonën arkeologjike A ku kanë dalë rrënojat e shek të 17-të.

Vendimi i gjykatës së Durrësit konsiderohet një fitore për shoqërine civile, të cilët e ndjekin çështjen prej muajit shkurt. Një gjyq tjetër zhvillohet në gjykatën Administrative për këtë çështje.

K.H.