Teuta nuk po kalon një moment të mirë pas atij starti perfekt të kampionatit. Djemtë e Detit e kanë harruar shijen e fitores prej 7 javësh, ku kanë marë 2 barazime dhe 5 humbje, një ecuri që largoi skuadrën nga pretendimet e fillimsezonit. Një situatë të tillë durrsakët kanë përjetuar edhe në sezonin 2014-2015, vit në të cilin siguruan mbijetesën në javën e parafundit në përballjen direkte me Apoloninë.
Nga 8 shkurti i 2015 deri më 16 mars Teuta regjistroi një ecuri prej 7 ndeshjesh pa fitore me një barazim dhe 6 humbje, për të fituar më 21 mars minimalisht 1-0 me Flamurtarin. Sigurisht që deri në fund kampionati kishte ulje – ngritjet e veta, për të synuar më pas ndryshimin e kursit në fillimin e sezonit të ri.
Pikërisht nga ai moment skuadra e Maganit duhet të gjejë frymëzimin, edhe pse nga java e ardhshme nis faza e dytë, djemtë e detit duhet të mendojnë si startin e një kampionati të ri për të harruar ecurinë negative të javëve të fundit.
Ndalesa e kampionatit mund të jetë dicka e mirë për Teutën që së pari duhet të rikuperojë në aspektin psikologjik dhe më pas të shpalosë në fushën e lojës atë që di të bëjë më mirë dhe atë që bëri në dy javët e para.Kampionati ka ende rrugë dhe deri në fund asgjë nuk është e pamundur, me Teutën që ka treguar në të shkuarën se di të shkaktojë surpriza.





