Gazetari i “Shqiptarja.com”, Elton Qyno ka komentuar në “Repolitix” situatën në lidhje me prezencën e dy ekspertëve të FBI-së në Shqipëri si dhe mandatin e shumëpërfolur të Adriatik Llallës.

Ardhja e tyre në Shqipëri është theksuar se do të kontribuojë për procesin e Vettingut, por në optikën e gazetarit Elton Qyno, ardhja e tyre nuk do të ketë proces vendimmarrës, por ata do të jenë më së shumti në rolin e këshilluesve në këtë proces. Ai ka komentuar edhe deklaratat e forta publike në lidhje me “peshqit e mëdhenj” që priten të arrestohen në muajin janar, por sipas tij, këto “peshq” priten të bëhen “peshkaqenë” deri në muajin janar dhe mund të çajnë edhe rrjetën.

“Njësoj si dy ekspertët e FBI dhe ai që do të vijë nga Gjermania do të kenë rol këshillues dhe jo vendimmarrës.  Dua të ndalem tek 2 ekspertet, ata do të kenë rol këshillues dhe do jenë në rolin e trajnerit. Unë e thashë edhe ditën e parë që Task –Forca do të jetë një strukturë  e përkohshme. Në dijeninë time nuk do të ketë asnjë surprizë, por këto “peshqit e mëdhenj” deri në janar, pritet të bëhën “peshkaqenë” dhe mund të çajnë rrjetën”, thotë gazetari Elton Qyno.

I pyetur në lidhje me mandatin e kryeprokurorit Adriatik Llalla nëse ai do të vazhdojë të rrijë në postin e Kryeprokurorit apo do të largohet në dhjetor kur i mbaron mandati, gazetari Qyno thotë: “Në dijeninë time nuk ka dëshirë të qëndrojë kryeprokuror, por prokuror i thjeshtë dhe do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut”.