Mediat turke kanë publikuar pamjet e vrasjes makabër të avokatit turk Kudbettin Kaya.
Siç shihet edhe në pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, avokati Kaya ka qenë i shoqëruar nga të tjerë persona teksa drekonte në një restorant të populluar në Stamboll, kur një person i veshur me rroba të zeza ka hyrë qetësisht dhe ka zbrazur breshëri plumbash ndaj avokatit.
Kudbettin Kaya është një nga të pandehurit në rastin e Ergenekon-it. Ky është emri që i është dhënë një organizate të supozuar ultranacionaliste në Turqi, që mendohet se ka lidhje me pjesëtarë të forcave ushtarake dhe të sigurisë në vend.
Grupi akuzohej për terrorizëm dhe për komplot kundër qeverisë në Turqi, ndërkohë që në kuadër të çështjes janë organizuar një sërë gjyqesh të profilit të lartë, duke filluar nga viti 2008. Por ekzistenca e grupit nuk është mundur të vërtetohet dhe kështu, të gjithë personat e akuzuar dhe burgosur në lidhje me këtë çështje, janë liruar nga dënimet.