Deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Sigurinë Kombëtare, Klevis Balliu, ka ngritur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria nuk përballet më me raste të veçuara korrupsioni, por me atë që ai e cilëson si një “shtet të kapur”.
Në një deklaratë publike, Balliu pretendoi se pushteti politik, interesat private dhe krimi i organizuar funksionojnë si një mekanizëm i vetëm, duke përmendur në qendër të akuzave kryeministrin Edi Rama, Ergys Agasin, Belinda Ballukun dhe Ron Yefetin.
Sipas deputetit demokrat, një nga çështjet kryesore lidhet me AKSHI-n, të cilin ai e cilësoi si një institucion të kthyer në “qendër operative të kapjes së shtetit”. Balliu pretendoi se përmes këtij institucioni janë kontrolluar struktura të rëndësishme dhe janë përdorur mekanizma presioni ndaj administratës publike.
Ai përmendi gjithashtu pretendime lidhur me përdorimin e sistemit TIMS, pengmarrje ndaj biznesmenëve dhe zyrtarëve, si dhe lidhje me persona pranë familjes së kryeministrit.
Balliu kritikoi edhe SPAK-un, duke deklaruar se sipas tij institucioni nuk ka goditur drejtuesit politikë të çështjeve që ai ngriti. Ai tha se një hetim i plotë duhet të përfshijë marrjen në pyetje të kryeministrit Rama, verifikimin e pasurisë së tij dhe sekuestrimin e pajisjeve të komunikimit.
Deputeti i PD-së kërkoi që hetimet pasurore të shtrihen ndaj një numri zyrtarësh dhe personash të përmendur prej tij në lidhje me dosjen e AKSHI-t, ndërsa kërkoi verifikime edhe për çështje të tjera që lidhen me lejet e ndërtimit, kompanitë dhe lidhjet e dyshuara me grupe kriminale në disa qytete të vendit.
Një pjesë të deklaratës së tij Balliu ia kushtoi edhe asaj që e quajti “skema KAYO”, për të cilën pretendoi se lidhet me industrinë e mbrojtjes. Sipas tij, përmes disa kompanive private është krijuar kontroll mbi sektorë strategjikë që lidhen me prodhimin dhe furnizimin me pajisje ushtarake.
Balliu pretendoi se persona të përfshirë në këto kompani kanë përfituar kontrata publike me vlera të konsiderueshme dhe e cilësoi këtë si çështje që prek edhe sigurinë kombëtare.
Në përfundim, deputeti demokrat bëri të ditur se ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për aferën e AKSHI-t, duke paralajmëruar se opozita do ta ndjekë këtë kërkesë deri në Gjykatën Kushtetuese.
Ai theksoi se, sipas tij, “siguria kombëtare nuk mund të administrohet si pronë private e pushtetit dhe institucionet duhet të funksionojnë në interes të qytetarëve”.





