Gertjana Daçi

Durrësi është qyteti i dytë më i rëndësishëm i vendit, pas kryeqytetit. I favorizuar nga pozicioni gjeografik, ky qytet ofron mundësi të shumta punësimi, si dhe studimin në Universitet për profesionin e parapëlqyer. Ndonëse ditët e sotme duket sikur të gjithë preferojnë punën e zyrës duke e menduar si më mirë të paguar apo komode, të dhënat nga zyra e punës në Durrës tregojnë se profesionet më të kërkuara për t'u përvetësuar nga durrsakë/et janë:

Estetikë, parukeri, berber, elektroaut, saldator, autoservis, instalime elektrike, elektroshtëpiake, hidraulik, kuzhinë, pastiçier, punonjës social, modelim stilim, dhe sekretari, duke u orientuar kështu më shumë drejt zanatit, për të krijuar mundësinë e vetëpunësimit në të ardhmen.

Papunësia është një plagë e vjetër e Durrësit por sipas informacioneve zyrtare të zyrës rajonale të punësimit në Durrës, krahasuar me vitin 2016, numri i punëkërkuesve ka ardhur në ulje. Kjo për shkak të ndryshimeve të bëra në SISHP (sektorin informatik të shërbimeve të punësimit), ndërmjetësimeve të bëra nga zyra e punësimi, programet e nxitjes së punësimit si dhe kurseve për formimin profesional të ofruara falas.

Nga të dhënat zyrtare të këtij institucioni janë 2750 qytetarë të qarkut të Durrësit të cilët janë punësuar gjatë 10 mujorit të 2017, me ndërmjetësim të zyrës së punës, në sektorët konfeksione dhe qepje këpucësh, industri përpunuese, shërbime, hoteleri, tregti, arsim etj. Sektorë të cilët aktualisht në Durrës ofrojnë vende të lira pune.

Nga muaji janar i vitit 2017 për qarkun e Durrësit, janë shpallur 4370 vende të lira pune ndërsa aktualisht janë të regjistruar si punëkërkues 5400 individë. Masa e plotësimi të vendeve të lira është arritur në masën 63%, kjo pasi në procesin e punësimit me ndërmjetësimin e insitucioni përkatës në qytetin bregdetar hasen probleme të llojit:

  • Kriteri i moshës, çka vështirëson ndërmjetësimin për punëkërkuesit e papunë mbi 45 vjeç
  • Mungesa e arsimimit
  • Mungesa e profesionit
  • Një pjesë e personave me arsim të lartë nuk marrin në konsideratë ofertat e punës, sepse pretendojnë të fillojnë punë me kusht që të jetë në profesionin e tyre.

Por për ata persona të cilët janë të interesuar për përvetësimin e një profesioni, zyra e punës në Durrës ofron kurse falas pranë Qendrës së Formimit Profesional, duke rritur kështu shanset e punësimit osë vetëpunësimit.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka ndërmarrë një nismë të re për ndërtimin e një network-u të vazhdueshëm dhe të monitorueshëm të bashkëpunimit me biznesin. 

Në kuadër të kësaj nisme zyra e punësimit ka nisur aksionin për kontaktimin e të gjithë bizneseve që ushtrojnë aktivitetin në qarkun e Durrësit.

Pritshmëritë e kësaj nisme janë që të rrisë numrin e bizneseve që bashkëpunojnë me zyrën e punës për plotësimin e vendeve të lira që ato krijojnë.