Dybala po, Dybala jo. Argjentinasi i Juventusit, që gjatë kësaj vere mori fanellën me numrin 10 dhe i premtoi besnikëri skuadrës “zikaltër”, duke larguar zërat e merkatos, bëhet sërish çështje. E nisi sezonin në mënyrën më të mire, duke frymëzuar grupin e Allegrit në disa ndeshje rresht, por, tashmë, sulmuesi argjentinas duket sërish i humbur, duke nxjerrë në pah anën më të errët të karakterit të tij deri diku problematik.
Uljet e vazhdueshme në pankinë nuk i kanë pëlqyer aspak sulmuesit, që rrezikon të gjobitet nga klubi për shkak të sjelljeve të tij aspak normale, ndërsa trajneri Allegri e justifikon momentin negativ të tij si pasojë e frustrimit që nisi menjëherë pas dy penalltive të humbura kundër Berishës dhe Strakoshës.
Gjatë momentit të zëvendësimit në transfertën e Udineses, Dybala nuk reagoi aspak mirë dhe, në atë rast, klubi e mbylli njërin sy, duke evituar gjobën, madje duke shkelur edhe kodin e hekurt të klubit, që pret rikthimin e sulmuesit në formën optimale. Në të kundërt, merkatoja e verës mund ta rikthejë argjentinasin edhe një herë në qendër të vëmendjes dhe skuadrat në ndjekje të tij nuk janë pak.
Barcelona, por edhe Reali i Madridit qëndrojnë pas derës, ndërsa PSG dhe City nuk e kanë aspak problem për të ofruar shumat marramendëse në adresë të Juventusit. Në këtë aspekt, ky sezon mund të rezultojë vendimtar për të ardhmen e sulmuesit, i cili ka klasin dhe stofin për t’u bërë një lider dhe për të pasuar trashëgiminë e një legjende si Alex Del Piero.





