Kontrollet për debitorët dhe abuzuesit e energjisë elektrike vijojnë në të gjithë vendin, ku raportohen çdo ditë raste të shkeljes së ligjit nga abonentë të papërgjegjshëm.

Në kuadër të aksionit nga OSHEE Durrës, është zbuluar vjedhja e energjisë nga abonenti privat në fushën e industrisë prodhuese (veshje), për rilidhje të paligjshme të linjës elektrike.

Subjektit privat i ishte prerë furnizimi me energji pasi ishte debitor, por pas kontrollit u verifikua se ai kishte rilidhur energjinë, pa paguar detyrimet, në kundërshtim të plotë me ligjin. Për këtë arsye, u bë arrestimi në flagrancë i abonentes M.H. dhe tashmë po gjykohet nga organet kompetente.

Ndërkohë, po në Durrës, dy abonentë familjarë, F.K. Dhe K.B, janë proceduar për vjedhje të energjisë elektrike.

Të dhënat e fundit nga qyteti bregdetar tregojnë se janë proceduar në polici rreth 40 abonentë, privat dhe familjar.

OSHEE u bën thirrje debitorëve të mos zgjedhin rrugën e gabuar dhe ndëshkuese të vjedhjes së energjisë, por, në pamundësi pagesash, t'i drejtohen kompanisë për t'u njohur me skemat lehtësuese të shlyerjes së faturave të dritave.