Nga Elitjona Doko
Një vajzë u shua në lule të jetës, një motër, një kolege, Adelajda….Së pari, më fal që pa të të njohur personalisht, po gjej kurajon të shkruaj për ty. Por, e diela e fundit e jetës tënde vendosi të të kthejë në pushim tërë jetën tënde! Sa trishtim ndien kur një i ri ikën nga kjo jetë! Dhimbje e thellë që të bën të reflektosh mbi çfarë të rrethon e për ta dashur jetën më shumë se e djeshmja që nuk e vlerësove sa dhe si duhet! Uroj dhe shpresoj që edhe pse vetëm 31 vite mundësi për të jetuar, ti kesh pasur të mbushura plot ngjyra ashtu si të shihnim dhe të njihnim nga ekrani, pavarësisht se ekrani për ne që punojmë në të është një “gënjeshtër” e madhe që të shet edhe për atë që ti nuk je dhe as përfaqëson!
Nuk ngeli njeri pa shkruar, ata që të njohën e nuk të njohën, ata që të panë por edhe ata që më parë të shanë e gjë s’të lanë! Nëse do e dije që fundi yt do ishte kaq i afërt, druaj se do kishe zgjedhur gazetarinë dhe ekranin si profesionin tënd, sepse ky lloj profesioni Adel, të nxjerr të thënat e të pathënat, të bërat e të pabërat, u jep mundësinë të flasin dhe të bëjnë elozhe edhe atyre si unë që s’të kanë njohur kurrë nga afër!
Këtu në këtë vendin tonë Adelë, nuk të lënë as të vdesësh i qetë! Është e frikshme sëmundja e rrjeteve sociale për të postuar një foto, një status, një kujtim të jetuar a të pajetuar me ty, për të shprehur një dashuri që nëse do ishte e tillë do i kishte mbijetuar kohës e do të ishte me ty deri në ditën e fundit!
Këtu, në botën tonë virtuale është frikë të postosh një foto a një kujtim të jetuar në profilet private, se nesër kur diçka të ndodhë do të na e postojnë si kujtim nëpër profilet e tyre me gjithfarë fjalësh e fjalish që dhe në të gjallën tonë nuk na e thanë, por vetëm na vranë! Sa gabime bën njeriu në të gjallët e vet….Se pari, të jep të njohur pas vdekjes, duke mos ditur asgjë për ty, flet në emrin tënd, për arritjet e tua që dhe ti vetë si ngrite kurrë në piedestal!
Se di por, kam frikë të jetoj në një botë kaq të rremë, kaq të gënjeshtërt që nuk mban një ditë të vetme zi dhe ditën e ikjes nga kjo botë, por për disa klikime të qelbura të mban në krye të lajmit të fundit! Lajmi yt i fundit ishte ikja jote nga kjo jetë Adel, dhe aty duhej të mbyllej çdo gjë nëse dashamirësisht do ishim kaq të mirë me ty dhe profilin që ti krijove në ekran, apo jashtë tij! Por jo!
Nuk na ndal dot që të shkruajmë, të publikojmë lajme të jetës tënde private, ta kthejmë të shkuarën tënde në klikim, në etjen e atyre që e kanë kaq boshe jetën e tyre e nuk kanë më me çfarë të merren përveç se të lexojnë për ty dhe ato që ti jetove! Po të kërkoj sërisht falje mes rreshtash, por ikja jote Adel, është një këmbanë alarmi për gënjeshtrën e madhe në të cilën po jetojmë, për gënjeshtrën që vdesim ta klikojmë, botën virtuale dhe “dashakeqësinë” tonë dashamirëse me ikjen e një njeriu nga kjo botë për të bërë një status dhimbsurie!
Njeriu nuk mund të duhet në ditën e ndarjes nga jeta! Më besoni që shumë nga ata që u “prekën” virtualisht të kanë vënë çfarëdolloj epitetesh në qendrimin tënd brenda shtëpisë më të famshme “Big Brother”! Ti Adel nuk e di sa dashamirës jemi ne kur dikush ikën nga kjo botë, vetëm se për së gjalli se shprehim dot gjithë këtë dashuri, e mbajmë përbrenda për ta shpalosur në ikjen tënde, por pse jo dhe timen nesër, a të tjetrit apo të tjetrit!
Ne si shoqëri jemi shumë dashamirës në ditën e vdekjes, po aq dashakeqës kur je i gjallë! Nuk lëmë formë e mënyrë për të gjykuar e paragjykuar, për të etiketuar si të kemi oreksin, kur të shohim vetëm në ekran dhe s’të njohim aspak nga afër! Nuk e di si i ke jetuar ato pak vite jetë që pate në dispozicion, por shpresoj të kesh ikur e mbushur shpirtërisht, me të tjerat merremi në kolegët e tu “dashamirës” pas vdekjes! Na fal Adel se nuk dimë çfarë shkruajmë e çfarë themi….!