*SHÇBA arreston punonjësin e Policisë në Komisariatin e Durrësit që akuzohet për shitje narkotikësh  

*Pranga edhe 1 shtetasi, 2 të tjerë shpallen në kërkim

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikëve në Policinë e Durrësit kanë arrestuar punonjësin e Patrullës në Komisariatin e Policisë së Durrësit, Fatmir Meço. 

33-vjeçari akuzohet për “Shpërdorim të detyrës’’ dhe “Prodhim e shitje të narkotikëve’’. 

Gjithashtu u arrestua shtetasi Fitim Selaci 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë, si dhe janë shpallur në kërkim dy persona, A.M.,  24 vjeç dhe R.T., 19 vjeç, me akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

Si bashkëpunonte polici me trafikantët

Arrestimi i punonjësit të policisë Meço u bë pas një hetimi disa mujor, zhvilluar me metoda speciale nga SHÇBA. 

Nga ky hetim rezultoi se efektivi i Komisariatit të Durrësit bashkëpunonte me Fitim Selacin dhe dy personat e shpallur në kërkim, për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Fatmir Meço duke shfrytëzuar pozicionin e tij, u garantonte pjesëtarëve të grupit lehtësi në mbajtjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në disa raste, dyshohet se ky punonjës policie ka transportuar dhe shpërndarë edhe vetë lëndë narkotike.

Gjendet kanabis në banesën e policit

Gjatë kontrollit në banesë, atij iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kanabis, si dhe një presë për paketimin e lëndës narkotike. 

Në banesën e shtetasit Fitim Selaci në Fushë-Krujë u sekuestrua një sasi prej 6.3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.