Adelajda Xhamani është ndarë nga jeta mëngjesin e kësaj të diele, në moshën 31-vjeçare. Gazetarja ka ndërruar jetë në shtëpinë e saj, orët e para të mëngjesit, si pasojë e një ataku kardiak.
Adelajda Xhamani u bë e njohur për publikun shqiptar në vitin 2009, pasi ishte pjesë e reality show-t “Big Brother Albania 2”, mjaft orgjinale në atë që përfaqësonte, ku ajo doli e dyta. 31 – vjeçarja tërhoqi vëmendjen jo vetëm për thjeshtësinë që e karakterizonte, por mbi të gjitha për pamjen tërheqëse, duke u cilësuar si një ndër vajzat më të bukura shqiptare.
Adela ka lindur në qytetin e Kavajës, ndërsa në vitet e para të karrierës së saj ka qenë mësuese në këtë qytet. Po ashtu ajo ka qenë kryeredaktore e suplementit “Bluetooth” në “Gazetën Shqiptare”, si dhe kryeredaktore e Revistës “Who”, ndërsa ishte shpesh e ftuar në studiot televizive për të folur rreth botës së showbizit.





