Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona që akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se në pranga ka rënë një 25-vjeçar, për të cilin gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për trafik lëndësh narkotike, si dhe një 28-vjeçar që duke drejtuar mjetin e tij i dehur është aksidentuar me një makinë tjetër, shoferja e të cilit është lënduar.

NJOFTIMI I POLICISË 

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin E. P., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin XH. M., 28 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin që drejtohej nga shtetasja J. M. Si pasojë është dëmtuar shtetasja J. M., e cila pasi mori mjekim në spital u largua për në banesë.   

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.