Pasditen e së premtes, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, prezantoi në Durrës projektbuxhetin e vitit 2018 para grupeve të interesit.
I pranishëm në takim, kryebashkiaku Vangjush Dako, vlerësoi faktin që për herë të parë një ministër i Financave dhe Ekonomisë prezanton projektbuxhetin e shtetit në qytetin bregdetar.
Dako ka kërkuar që të shihet me përparësi problemi i tregtarëve të tregut industrial në Durrës, pasi ata janë të vetëpunësuar dhe nuk e kanë mirëpritur futjen në skemën e TVSH-së.
Ministri Ahmetaj deklaroi se bizneset që kanë xhiro deri në 2 milion lekë nuk do të futen në këtë skemë, gjë që vlen edhe për këtë kategori tregtarësh.
Po ndërkohë, ajo që është më e rëndësishme për qytetarët durrsakë është se çfarë përfiton Durrësi në vitin 2018 nga buxheti i shtetit.
Sipas investimeve të parashikuara në projektbuxhet, gjatë vitit të ardhshëm në Durrës pritet të financohet terminali i ri i pasagjerëve që synon krijimin e një metropoli në aksin Durrës-Rinas-Tiranë. Gjithashtu parashikohet rikonstruksioni dhe ndërtimi i dy shkollave të reja me vlerë 2 milion dollarë si dhe godina e re e kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” në Spitallë me vlerë 4.5 milion dollarë.
Në lidhje me paketën e re fiskale, Ahmetaj tha se nevojitet ndryshimi i 4 ligjeve kryesore për taksat vendore në mënyrë që bizneset e hoteleri-turizmit me 4 dhe 5 yje të përjashtohen nga taksa e pasurisë, si dhe të hiqet taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe tatimi i thjeshtuar të zerohet për 10 vjet.
K.H.





