Ka përfunduar kontrolli i shtëpisë së ish-ministrit Saimir Tahirit nga oficerë të policisë gjyqësore. Ata janë parë të dalin nga banesa me dy valixhe në dorë.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për disa dokumente që ata kanë sekuestruar dhe që mendohet se do ti shërbejnë hetimit. Kontrolli zgjati afro 2 orë dhe u bë edhe në prani të avokatit të Tahirit, Maks Haxhia.
Katër oficerë të policisë gjyqësore mbërritën në banesën e Saimri Tahirit tek zona e “Kodrës së Diellit”, një ditë pasi Parlamenti votoi kundër arrestit dhe pro kontrollit të banesës.
Fillimisht rreth orës 14:05 kanë mbërritur 4 oficerët e policisë gjyqësore. Ish-ministri Tahiri ka shkuar 5 minuta më pas bashkë me avokatin Maks Haxhia.
Deputeti Saimir Tahiri, akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, akuzë për të cilën Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e tij, por ky i fundit e rrëzoi.





