Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar në lidhje me sulmin e ashpër të kryeministrit Edi Rama karshi gazetarëve, ku shkruan se media zbuloi kryeministrin arrogant që frikësohet nga fjala e lirë.
Pas seancës së djeshme kur maxhoranca votoi kundër arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ‘përplasjes’ së Ramës me gazetarët, Vasili thekson se dje krimi fitoi një kryeministër dhe sipas tij qytetarët humbën përfundimisht kryeministrin e tyre, ndërsa media zbuloi sharlatanin arrogant.
STATUSI I PLOTË
Krimi fitoi publikisht kryeministrin, shqiptarët pa kryeministër.
Kriminalizim i qeverisjes u vulos me votimin e djeshëm të maxhorancës së rilindjes.
Ky votim është një faqe e zeze e pashlyeshme moralisht dhe politikisht për kryeministrin, që ka derdhur tonelata të tëra morali, hipokrizie dhe dëngla puritanizmi në publik e kudo gjetkë.
Sot edhe shqiptari më indiferent e ka shumë të qartë se në krye të qeverisë është një hipokrit pa principe, hyzmeqar të krimit, të shkretuar nga idetë dhe të boshatisur nga morali dhe integriteti njerëzor.
Dje krimi fitoi publikisht një mik kryeministër, qytetarët humbën përfundimisht kryeministrin, ndërsa media zbuloi sharlatanin arrogant të trembur nga fjala e lire.





