Kryeministri Edi Rama ka inkurajuar investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri duke u thënë se vendi ynë është i sigurt për të bërë biznes, pavarësisht asaj që thuhet në media.

Në fjalën e mbajtur në Konferencën e dhomave të tregtisë, Kryeministri Edi Rama tha se për çdo ekonomi, por veçanërisht për ekonominë tonë investimet e huaja direkte janë jetike.

Një ditë pasi sulmoi hapur gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, Kryeministri këshilloi investitorët që as të mos takojnë gazetarë dhe as të mos lexojnë gazeta.

“Kështu që me sugjerimin që kush ka ardhur sot t’i gëzohet këtij vendi të bekuar dhe kaq të bukur dhe më këshillën miqësore që as mos takoni gazetarë dhe as mos lexoni gazeta sepse ju pengojnë në gjithë aparatin tretës, ju uroj mirëseardhjen dhe ju siguroj se kush investon sot në Shqipëri, nuk do të pendohet kurrë nesër dhe kush ngurron sot, nesër do të thotë si ka mundësi që ma morën radhën këta të tjerët. Ky është momenti për t’i dhënë vetes shtytjen për të investuar në Shqipëri.”