Gruaja e bosit meksikan të drogës Joaquin “El Chapo” Guzman u deklarua fajtore për ndihmën që i ka dhënë burrin e saj të kontrabandonte narkotikë në SHBA. Mediat e huaja raportojnë se Emma Coronel Aispuro pranoi tre akuza gjatë seancës në gjykatën e Uashingtonit.

31-vjeçarja pranoi akuzat dy vjet pasi burri i saj Guzman u dënua me burgim të përjetshëm. Coronel u akuzua për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marijuanës për import në Shtetet e Bashkuara.

Ajo u përgjigj “fajtore” tre herë kur u pyet nga gjykatësi se cili ishte deklarimi i saj.

Autoritetet amerikane e arrestuan atë në shkurt në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles dhe e akuzuan se ka ndihmuar bashkëshortin e saj për të drejtuar kartelin famëkeq të Sinaloas. Zyrtarët e FBI thanë se Coronel ndihmoi për të shpërndarë kokainë si dhe planifikoi arratisjen e burrit të saj nga një burg meksikan në 2015.

Emma Coronel Aispuro u takua me Guzman kur ishte vetëm 17 vjeçe dhe u martua shumë shpejt. Ata kanë dy fëmijë binjakë nga martesa e tyre. Coronel e ka mbështetur gjithmonë burrin e saj, pasi edhe gjatë gjykimit ajo ulej pothuajse çdo ditë në sallën e gjyqit, për t’i treguar atij përkrahjen dhe besnikërinë absolute.