Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për trafik droge dhe shpërdorim detyre, publikoi sot gjatë një konference para gazetarëve, një dokument nga prokuroria e Katanias, sipas të cilit ai nuk po hetohet nga Italia.

“Unë jam i gatshëm të paguaj gjithçka jam dhe gjithçka kam për të vërtetën që dua ta gjej vetë. Unë tashmë jam një qytetar pa asnjë pushtet dhe si i tillë, unë sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias, i cili thotë se Saimir Tahiri nuk rezulton të ketë pasur ndonjëherë procedim penal nga Prokuroria e Katanias. Pra Prokuroria e Katanias, e cila e ka hetuar këtë grup kriminal për tri vjet, nuk ka gjetur asnjë arsye për të hetuar ndaj meje.”

Tahiri pyeti se si ka mundësi që “në një kohë që Prokuroria e Katanias nuk ka asnjë hetim ndaj meje, Prokuroria e Tiranës të nisë hetim dhe të kërkojë arrestimin tim për 48 orë”.

“Politikanë, analistë e gazetarë kanë marrë nga një pushkë dhe hedhin baltë mbi mua. Unë nuk kam asnjë dëshirë të merrem me këto. Nëse politikës i ka ardhur rasti që llumin e politikës ta hedhë mbi mua, u them rrini pa asnjë merak, unë do e përballoj këtë.”

Prokuroria për Krimet e Rënda ka ngritur dyshime se deputeti Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprave penale të “trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim, kryer në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.

Të mërkurën, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posaçme për të vendosur ‘fatin’ e tij, nëse do t’i heqet mandati i deputetit që do t’i hapte rrugë arrestimit, apo do t’i refuzohet kërkesa e Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila e akuzon si të përfshirë në trafikun e drogës me grupin e Habilajve.