Sot në media ka qarkulluar lajmi për largimin e moderatores Jonida Shehu nga programi “Pasdite në Top Channel”.

Gazetarja pretendoi se ishte larguar nga ky televizion për shkak se ishte ndjerë e papërshtatshme për të vazhduar punën aty dhe se nuk do të kthehej më.

“Top Channel” ka thënë në një qëndrim zyrtar se marrëdhëniet kontraktuale me gazetaren ndërpriten sot më datë 23 tetor 2017, dhe arsyet janë: braktisja e emisionit në mënyrë të papritur dhe sjellja jo profesionale e saj.

Për këtë arsye zyra ligjore e “Top Channel” do të ndërmarrë të gjitha rrugët ligjore në raport me gazetaren Shehu.

Ndërkohë emisioni do të vijojë pa humbur edhe një ditë të vetme, e personi që do ta zëvendësojë Jonidën është spikerja Juli Krisafi.

Ja çfarë shkruan “Top Channel” në faqen e saj zyrtare:

Jonida Shehu nuk do të jetë më moderatorja e Pasdite në Top Channel, duke i lënë vendin një fytyre tjetër mjaft popullore të Top Channel.

Juli Krisafi, spikerja e edicioneve qendrore të Top Channel prej disa vitesh, do të jetë moderatorja e re e programit të pasdites.

Lajmi ka vetëm pak orë që qarkullon në korridoret e Top Channel, ndërsa më parë janë shkëputur marrëdhëniet me Jonida Shehun, e cila drejtoi për më shumë se 1 vit programin e Pasdites.

Nga Top Channel njoftohet se marrëdhëniet kontraktuale me znj.Jonida Shehu janë ndërprerë në mënyrë përfundimtare më 23.10.2017. Sjellja aspak profesionale e Jonida Shehut dhe braktisja e emisionit në mënyrë të papritur janë arsyet e largimit të gazetares nga Top Channel.

Për këtë arsye, zyra ligjore do të ndërmarrë rrugët ligjore në raport me të, duke shtuar pas qëndrimit të saj në media edhe kërkesën për dëmshpërblim për prishje të imazhit.

Juli Krisafi është një gazetare me një eksperiencë të gjatë në televizion, ndërkohë që prej disa vitesh ajo është kthyer si imazh i edicionit qendror të lajmeve. Juli Krisafi do të jetë edhe bashkëautore e programit Pasdite në Top Channel.