Qeveria përzë nga porti i Durrësit të gjithë jahtet luksoze që qëndronin aty prej vitesh në portin e ndërtuar për anijet e peshkimit.
Duhej të plaste skandali i transportimit të drogës me skafe drejt Italisë, që porti i peshkimit në Durrës të zbrazej nga jahtet luksoze me një vendim të kryeministrit Edi Rama ditët e fundit.
Në fshehtësi të plotë të medieve, në një ceremoni ku vetëm gazetarët dhe kamerat munguan, por në prani të ministrit të Mjedisit, të 8 deputetëve socialistë të Durrësit, të kryebashkiakut Vangjush Dako si dhe të krerëve të Policisë Kufitare, të Autoritetit Portual të Durrësit, Kapitanerisë dhe autoriteteve të tjera është bërë largimi i dhjetëra mjeteve lundruese, super luksoze të biznesmenëve shqiptarë.
Në ceremoni pritej të ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, por zhvillimet e ditës së shtunë me ish-ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri, bënë që kryeministri të mungonte në aksionin e nisur e të paralajmëruar po prej tij.
Të gjendur para faktit të mirëqënë se nuk kishin më asnjë orë afat, manjatët e Shqipërisë kanë nxituar të prenotojnë vinca e kamionë për të nxjerrë nga uji e transportuar në tokë skafet luksoze. Dy prej tyre i dërguan në portet e Malit të zi për t’u ankoruar atje, ndërsa të tjerë i kanë lënë në hapësirat e brendshme të portit të Durrësit, ku do të kujdesen që të mos ju dëmtohen.
Porti i Durrësit jo vetëm që nuk ka asnjë vend për ankorimin e mjeteve turistike, por ka edhe tarifa thellësisht tregtare për anijet turistike. Porti i peshkimit është zbrazur prej tyre dhe pritet që në fillim të javës të merret në dorëzim nga ana e drejtorisë së peshkimit.
Kishte shumë kohë, gati 2.5 vjet, që porti i ndërtuar nuk i kalonte në varësi drejtorisë së peshkimit në Durrës. Për bosat shqiptarë, në portin e Durrësit, nuk ka më asnjë vend për të ankoruar mjetet e tyre miliona euro.
K.H.





